Ballshi nuk është më tabu, Kastrioti bën rolin e ekipit të madh
Java e pestë nis me surprizë, Bylisi nuk është më i pathyeshëm në shtëpi, ndërsa krutanët tregojnë se janë pretendentë
Bylis Kastrioti 0-1
Ka nisur me surprizë java e 5-të, kur Kastrioti ka befasuar në shtëpinë e Bylisit, duke i marrë fitoren brenda në Ballsh. Themi surprizë, pasi në Adush Muça nuk kanë arritur të rrëmbejnë pikë skuadra të një kalibri më të madh dhe jo më Kastrioti. Por ja që djemtë e Ndreut kanë treguar se kanë në përbërje cilësi dhe dy humbjet tashmë mund të quhen rastësi pas dy fitoreve të njëpasnjëshme.
Në fakt, para ndeshjes presidenti Kapllanaj e ka kontestuar edhe një herë gjyqtarin e ndeshjes, Lorenc Jemini, i cili që sezonin e kaluar ishte shpallur non grata nga ballshiotët. Ka qenë një ndeshje jo nga më të mirat për Bylisin, ku ndoshta mungesa në mbrojtje e Souzës dhe Da Silvas, por edhe e portierit Frashëri, ka ndikuar dhe e ka detyruar trajnerin Shensoj të bëjë disa ndryshime, ku pa dyshim skuadra nuk e pati të lehtë të përshtatet në lojë.
Pjesa e parë Në pjesën e parë Bylisi krijoi volum loje, por sulmi ka luajtur larg portës dhe i pambështetur nga mesfusha. Ndërsa krutanët jo vetëm që u mbrojtën fort, por edhe kundërsulmuan rrezikshëm. Goli i krutanëve ka qenë meritë e Sebino Plakut, i cili ka manovruar bukur me topin dhe ka goditur saktë. Janë këto kualitete, si Plaku, që bënë diferencën, ashtu si në ndeshjen me Vllazninë.
Ajo që ra në sy ishte gjendja jo e mirë e Inkangos, goleadorit afrikan të krutanëve, i cili ka shënuar deri tani 5 gola. Por edhe nga krahu tjetër, golashënuesit e Bylisit ishin në një ditë të dobët. Xhafa që nuk çlirohet, por as i përhershmi Dimo nuk arrin të shënojë, që do të vlente shumë. Vendësit qarkullojnë topin, por në momentet e finalizimit janë të paqartë, duke mos iu afruar portës së krutanëve.
Pjesa e dytë Edhe pse në pjesën e dytë Bylisi e ka zhvendosur lojën në gjysmëfushën kundërshtare, kësaj skuadre i ka munguar befasia dhe rrezikshmëria në zonën e kundërshtarit. Edhe ndërrimet e bëra nga trajneri Shensoj, ndonëse i dhanë më shumë frymëmarrje lojës, nuk arritën të krijojnë situata goli te porta e Kastriotit.
Ndërsa Kastrioti është mbrojtur shumë mirë, sidomos në fundin e ndeshjes, duke parë pak nga porta kundërshtare për të shënuar. Krutanët kanë mbrojtur me fanatizëm golin e Plakut të shënuar në pjesën e parë. Përfundimisht, duhet thënë se Bylisi ka zhgënjyer përballë publikut të tij, ndërsa për kundërshtarin duhen thënë fjalë nga më të mirat, pasi luajti me autoritet dhe dëshirë për fitore.
Kështu, Kastrioti ngjitet në kuotën e 9 pikëve, aq sa kanë edhe dy skuadrat e kreut, por që kanë një ndeshje më pak. Kalendari favorizon krutanët, pasi javës tjetër do të presin në shtëpi Apoloninë, ndërsa Bylisi do të udhëtojë në kryeqytet për tu ndeshur me Tiranën, pra një sfidë tejet e vështirë, por që pikët duhen rikuperuar sa të jetë e mundur.
Shensoj: Mbrojtja mike u tregua shumë e aftë
Ka qenë një humbje zhgënjyese për ne. Më duhet të them se kjo fitore e miqve ka qenë meritë e mbrojtjes kundërshtare, e cila ka ditur të neutralizojë sulmet tona. Kanë ndikuar edhe mungesat që kemi pasur, por gjithsesi, kjo është vetëm një humbje, pasi përpara na presin sfida të tjera dhe Bylisi do të shfaqet sërish si një ekip serioz. Natyrisht që më vjen keq, aq më tepër përballë tifozëve tanë, por ky është futbolli, duhet ti pranosh verdiktet e tij, në çfarëdo rrethane që të vijnë.
Ndreu: Një takim fair-play dhe me rivalitet
Kemi fituar një ndeshje të vështirë, pasi luajtëm me një skuadër rivale. Kemi shënuar në pjesën e parë dhe kemi ditur ta ruajmë rezultatin. Ajo çka dua të theksoj është se është zhvilluar një takim fair-play. Bylisi është një skuadër e mirë dhe besoj se edhe në ndeshjet e tjera do të prezantohet me dinjitet. Nuk deklaroja kot se shkojmë për fitore në Ballsh, jo ngaqë fituam, por jam i bindur te kualitetet që ka ekipi ynë. Të vijojmë me këtë ritëm fitoresh dhe shumë shpejt do jemi të parët.
Kapllanaj: Jemini vijoi me gjykimin tendencioz
Jemi dëmtuar edhe nga ndeshjet ndërkombëtare të përfaqësueseve, qoftë të Shpresës sonë, qoftë të Maqedonisë. Ristevski ka mbërritur vonë dhe Frashëri nuk është paraqitur fare për shkak se avioni ka mbërritur vonë. Federata duhet të jetë më rigoroze në këto raste, pasi ne kemi kërkuar shtyrjen e ndeshjes. Përveç kësaj, gjyqtari ka vazhduar gjykimet e tij të dobëta dhe tendencioze jo vetëm duke na mohuar një 11-metërsh, por me bilbilin e tij ka acaruar jo pak herë ekipin dhe publikun, duke dhënë vendime të padrejta. I uroj suksese këtij gjyqtari.
