E Diel, 1 Nëntor 2026

Branica: Flamurtari ka një tjetër detyrë shtëpie

Nga ELTON NIKA

Zv.trajneri Sokol Branica thotë se vlonjatët duhet të dominojnë dhe të mos e llogaritin fitoren me Pogradecin

Flamurtari ka mbyllur me seancën e pasdites përgatitjet anti-Pogradec. Një seancë stërvitore që është zhvilluar nën reshjet e vijueshme të shiut, por që ka vijuar normalisht për stafin teknik dhe futbollistët e Flamurtarit. Zv.trajneri i Flamurtarit, Sokol Branica, pasi ka përfunduar përgatitja e radhës, ka theksuar se tashmë gjithçka i kalon vetëm fushës së lojës, aty ku futbollistët duhet të tregojnë qëllimin e Flamurtarit qysh në minutat e para, natyrisht sipas tij, për ta fituar këtë përballje.

Kemi përfunduar përgatitjet dhe tashmë ekipi është gati për të zhvilluar një ndeshje cilësore dhe për ta fituar atë. Luajmë përballë Pogradecit, ekip që ka ditur tu hapë punë edhe ekipeve të tjera gjatë katër javëve të para, ndaj duhet të luajmë me kujdes, por pa u shkëputur nga qëllimi ynë për të fituar, pse jo, bindshëm në këtë takim.

Do të donim të zhvillonim atë ndeshje të luajtur në Vlorë me Kastriotin, ku për 70 minuta treguam dominim të theksuar ndaj kundërshtarit, por këtë të shtunë duhet që diçka të tillë ta bëjmë gjatë gjithë 90 minutave. Asnjë nënvlerësim kundërshtarit, është thjesht një ndeshje në Vlorë dhe një detyrë shtëpie për Flamurtarin për tu fituar.

Nuk ka asnjë objektiv tjetër. As barazimi nuk duhet të na shkojë nëpër mend për sfidën e radhës. Duhet të jemi ne në fushën e lojës që duhet të tregojmë se jemi një ekip që fitoren e meriton në fushën e lojës, ndaj në çdo minutë nuk mund të tolerojmë ekipin e Pogradecit, thekson Branica.

Tifozët Pas dy javë përgatitjesh, ka ardhur koha të flasim në fushën e lojës dhe sportdashësit të na mbështesin gjatë gjithë takimit, ndaj së bashku duhet të realizojmë këtë fitore të tretë në këtë kampionat për Flamurtarin. Nuk duhet të mendojmë tani se jemi në kuotën e 9 pikëve, por diçka të tillë ta shohim vetëm pas përfundimit të 90 minutave të takimit. Pas ndeshjes mund të flasim më të qetë, por natyrisht që besimi është maksimal për fitoren dhe ska arsye të mos ndodhë kështu, – ka përfunduar zv.trajneri i Flamurtarit, Sokol Branica.

Dëmtohet Brahja, humb sfidën e sotme
Flamurtari humbet mbrojtësin Julian Brahja për ndeshjen ndaj Pogradecit. Futbollisti laçian është dëmtuar gjatë stërvitjes në këmbë dhe koha e rikuperimit nuk mjafton për ta parë futbollistin në fushën e lojës në ndeshjen e ditës së shtunë. Veç Brahjes, në dyshim është edhe mesfushori Begaj, i cili pritet të jetë në pankinë gjatë ndeshjes dhe do të shihet, por si duket, nuk do të rrezikohet me aktivizimin e tij. Për sa u përket mungesave për shkak të kartonëve, ekipi vlonjat nuk ka asnjë të tillë.

Tifozët kërkojnë goleadë ndaj Pogradecit

Sportdashësit e Flamurtarit kërkojnë fitore bindëse ndaj Pogradecit. Duke sfiduar edhe shiun, një pjesë e mirë e sportdashsve të Flamurtarit nuk kanë munguar të jenë të pranishëm edhe gjatë seancës stërvitore të radhës, duke kërkuar fitore bindëse dhe me shumë gola në ndeshjen me Pogradecin. Duke mos mbetur shumë të kënaqur me ecurinë e Flamurtarit gjatë katër javëve të para, tifozët nuk kanë munguar tu bëjnë thirrje futbollistëve për të marrë një fitore bindëse.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›