Hysi: Luftëtari, gati ta fitojë këtë përplasje pretendentësh
Trajneri i ekipit gjirokatrit e gjykon shumë të fortë ndeshjen, por beson se të tijtë do ta gjejnë rrugën e fitores
Java e 5-të, pa ndeshjen LuftëtariElbasani, që nuk u luajt , bëri që Besëlidhja të kalojë në krye. Lezhjanët kanë një pikë më shumë se gjirokastritët, ndërkohë që në zonën e rreptësisë janë grumbulluar 10 ekipe, ndërsa 4 të tjerë janë shumë afër saj, si rrallë ndonjëherë.Sot Luftëtari pret Lushnjën, që ka 3 pikë më pak dhe që është egërsuar nga barazimi që arriti në fushën e saj me Besëlidhjen.
Çfarë do të ndodhë sot në Gjirokastër? Luftëtari ka realizuar 2 fitore, nga 3 që ka gjithsej, dhe përballja me Lushnjën është është e treta në shtëpi. Ai ka objektiv ngjitjen në superligë, ku arrijnë ato ekipe, që në fushat e tyre nuk humbasin, ose humbasin fare pak pikë dhe fitojnë disa në transfertë.
Luftëtari, në ndeshjet që ka zhvilluar, ka avancuar sipas këtij skenari, sepse i fitoi të gjitha pikët e mundshme si pritës dhe mori edhe 3 pikë si udhëtues. Duke u nisur nga hija e ekipeve, rezulton se Lushnja e ka më të rëndë atë se kundërshtarët e tjerë, që kanë ardhur në Gjirokastër. Ndërkaq, rezultatet e saj, që nuk e kanë kënaqur, sollën ndërrimin e trajnerit, ndaj dhe koeficienti i vështirësisë është normalisht më i madh.
Hysi Trajneri i Luftëtarit, Mustafa Hysi, thotë: Ndeshja me Lushnjën rezulton shumë e rëndësishme për të dy ekipet, sepse u duhet fitorja për objektivin që kanë. Ne, duke luajtur në fushën tonë, e kemi më të koklavitur procedurën, sepse pikërisht pikët e humbura në shtëpi vështirë se kompensohen. Lushnja është ekip me pretendime dhe nuk ka bërë atë nisje që dëshironte, ndaj do të përpiqet ta përmirësojë renditjen e saj.
Edhe ne do të kërkojmë fitoren me këmbëngulje sportive për të pasur mundësi ti realizojmë synimet tona. Këto e bëjnë ndeshjen shumë të fortë, por, duke pranuar se sulmuesit tanë do të dalin në lojën rezultative, besoj se do të marrim fitoren. Ekipi ynë ka disa kualitete, por do të jetë loja e grupit me grintë, që do të sjellë rezultatin e dëshirueshëm për të mbajtur pozicionin e fituar, ose dhe përmirësimin e tij, në kombinim me rezultatet e tjera.
Formacioni Formacioni më i mundshëm i Luftëtarit për ndeshjen e sotme është: Selimaj, Gaxhaj, Sinani, Shalari, Baci, Çaço, Ramadani, Devolli, Mersini, Raboshta dhe Nora. Të gatshëm do të jenë Braho, Bistri, Pjetrani, Zholi, portieri Kasma e të tjerë.
