E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peqini: Të tregojmë respekt për fanellën

Nga ANDI MATRAXHIU

Sipas mbrojtësit, futbollistët blu pikërisht në këtë moment të vështirë duhet ti dalin në krah Nëndetëses

Elbasanasi Roland Peqini është një nga pikat e forta të prapavijës dinamovite. Mbrojtësi i djathtë po kalon një moment të mirë në aspektin personal. Ai është prej kohësh edhe pjesë e pandarë e përfaqësueses U-21 të Shqipërisë, e cila humbi në mënyrë fatale in-extremis sfidën e fundit ndaj Polonisë.

I kontaktuar nga Sporti shqiptar në përfundim të seancës stërvitore, mbrojtësi i bluve analizon sfidën ndaj Shkumbinit, momentin e vështirë që Dinamo po kalon, por edhe humbjen fatale të Shpresave kuqezi. Sipas elbasanasit, në këto vështirësi që Dinamo po kalon, duhet të jetë pikërisht uniteti i futbollistëve që duke treguar respekt dhe konsideratë për fanellën blu, të arrijnë sukseset dhe më pas të dalin nga kjo situatë e turbullt.

Shkumbini Nuk kemi rrugë tjetër veç fitores dhe duhet të bëjmë të pamundurën që të marrim tri pikët tepër të nevojshme në këtë moment. Nëse do të bëjmë një tjetër hap të gabuar, atëherë distanca me skuadrat e tjera do të thellohej më shumë dhe të gjithë do të na shikojnë më syrin e të humburve. Po kalojmë një moment të vështirë, por pikërisht tani duhet të tregojmë veten tonë, respektin për fanellën e Dinamos dhe tifozët e saj. Vetëm duke qenë të bashkuar mund tia dalim. Kundërshtarin e respektojmë, por ne kemi llogaritë tona.

Grupi Kam dy ditë që jam kthyer nga ndeshja e kombëtares Shpresa dhe i shikoj të gjithë djemtë kërkues, tepër aktivë në stërvitje dhe të gjithë janë të gatshëm të japin maksimumin përballë Shkumbinit. Dëshira e mirë nuk mungon, por sigurisht duhet të japim më të mirën në fushën e blertë që të justifikojmë gjithçka.

Kushtet U bëra 5 vite që jam këtu si futbollist i Dinamos, në këtë kompleks. Duke pasur parasysh kushtet si kanë qenë dhe se si janë sot, është vërtet për të ardhur keq. Më parë ky kompleks ishte si një shtëpi për ne. Ndërkohë që tani gjërat kanë ndryshuar. Ne kemi pasur dhomat e zhveshjeve të kompletuara, palestër, mensë, gjithçka. Dhe tani është një problem i madh dhe po stërvitemi në rrugë dhe më pas stërvitemi në fushë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›