Kapiteni Shupe: Në Kukës të bëjmë sa më pak gabime
Gramozi ka mungesa edhe në ndeshjen e sotme, ku pritet që ekipi të tregojë vlerat e tij
Transferta e largët e Kukësit shihet me besim nga kolonjarët, të cilët vijnë pas një barazimi të padëshirueshëm në shtëpi. Mesfushori dhe kapiteni i Gramozit, Hyserjon Shupe, ose Xhaguari, siç e thërrasin tifozët, para se ekipi të nisej dje drejt Kukësit, është shprehur: Mendoj se jemi përgatitur si duhet për ndeshjen e radhës, ku do të kemi përsëri ndryshime në formacion, për shkak të dëmtimeve që nuk po na ndahen këtë sezon. Pozicioni im është krahu i majtë i mesfushës, por shpesh mundohem të ndihmoj edhe sulmin.
Them se ende nuk kam arritur atje ku dëshiroj edhe për shkak të një dëmtimi. Nuk kam luajtur ndonjëherë kundër Kukësit, por mendoj se nuk është rastësisht në vendet e para. Është një ekip i fortë, por çrëndësi ka kjo? Të gjithë kundërshtarët në kategorinë e parë janë të njëjtë. Jo për nga vlerat që kanë, por për nga vlerësimi që i duhet bërë secilit prej tyre.
Gramozi ka një tifozëri të zjarrtë, që pret pikë nga ndeshja me Kukësin. Pa dyshim që do tia bëjmë hyzmetin kësaj ndeshjeje, duke hyrë në fushë me bindjen se mund të marrim rezultat pozitiv. Gjithçka do ta vendosë fusha dhe kuptohet që fitorja do ti takojë ekipit që do gabojë më pak. Dua të jap maksimumin për këtë fanellë, që në fund Gramozi ta arrijë objektivin. Kolonjarët mendohet ta nisin ndeshjen e sotme me këtë formacion: Dervishi, Kodra, Shehu, Lamaj, Fasko, Musabelliu, Shupe, Bilibashi, Saliko, Nelaj dhe Hysolli
