Stanislav Levi, sot prova e parë si Ujk dëbore
Përgatitësi atletik Zdenek Becka drejton stërvitjen e parë me kampionët, atmosferë optimiste para ndeshjes me Kamzën
Stadiumi Skënderbeu, ashtu siç ishte deklaruar më parë, ka ndezur projektorët qysh mbrëmjen e djeshme. Në orën 18:00 stafi i kampionëve dhe futbollistët kanë dalë në stërvitje, ndërkohë që kjo seancë e mbrëmshme i ka paraprirë ndeshjes së sotme, ku edhe stërvitja është zhvilluar në të njëjtën orë. Kjo praktikë do të ndiqet çdo fundjavë sa herë që Skënderbeu të ketë ndeshje dhe një ditë para lojtarët do të stërviten në orën e ndeshjes.
Risia e mbrëmjes së djeshme ka qenë drejtimi i nxemjes nga Zdenek Becka, i cili kishte mbërritur në Korçë një ditë më parë dhe dje ka bërë prezantimin me lojtarët dhe ka kryer krejt përgatitoren e kësaj seance. Becka do të jetë përgatitësi i ri atletik te Skënderbeu dhe ka qenë zgjedhja që ka bërë vetë trajneri ri Stanislav Levi.
Pranë trajnerit të parë vazhdimisht vazhdon të qëndrojë trajneri i dytë dhe ai që bën rolin e përkthyesit te ky ekip, Lorenc Hysi, ndërkohë që në këtë seancë të parafundit mbrëmjen e djeshme edhe numri i lojtarëve ka qenë më i reduktuar, pasi ishin vetëm 16 lojtarë, të gjithë këta të grumbulluar dhe me shumë gjasa këta futbollistë do të jenë sot pjesë e formacionit dhe 5 prej tyre do të plotësojnë edhe stolin.
Formacioni Më kot kanë pritur gjatë gjithë seancës së mbrëmshme, që ka zgjatur pak më shumë se 60 minuta të gjithë gazetarët, të cilët prisnin nëse Levi do të zbulonte në fushë ndonjë skemë loje, ku të dukej qartë edhe formacioni. Këtë gjë trajneri çek nuk e ka bërë dhe taktika që ka zhvilluar të linte përshtypje se sot në formacion do të ketë disa ndryshime, por se cilët do të jenë ata, kjo nuk mund të deklarohej qysh dje.
Në qendër të mbrojtjes do të jetë ndryshimi i parë, ku me shumë gjasa, njëri nga të tre, Vrapi, Bicaj dhe Gvozdenoviç, do ta nisë nga stoli. Në mesfushë priten pak zhvillime, ndërkohë që në sulm pikëpyetja e vetme është nëse Kërçiku do ta nisë nga minuta e parë apo jo, një nga lojtarët që në këto javët e para ka qenë më i miri në fushë për kampionët.
Debutimi Pikërisht sot, në stolin e Skënderbeut, trajneri Stanislav Levi do të bëjë edhe debutimin në krye të një stoli shqiptar dhe pikërisht të kampionëve të Shqipërisë. Të gjithë besojnë që çeku ta nisë me këmbë të mbarë, por kjo do të duket në fundin e ndeshjes me Kamzën. Ka disa ditë që Levi po u qëndron me dorë të hekurt të tijve, madje nën masa të rrepta.
Do tia dalë apo jo për të kryer misionin e tij te kampionët, kjo mbetet për tu parë, ndërkohë që prova e parë duket disi e lehtë, pasi fillon në shtëpi dhe pikërisht ndaj një ekipi pa shumë pretendime, si Kamza. Për ndeshjen e sotme ndaj Kamzës të gjithë janë optimistë edhe për atë se Skënderbeu është më i etur se kurrë më parë për të siguruar këtë tripikësh, që do të qetësonte disi gjendjen e korçarëve, që deri tani në 4 javë kanë vetëm 5 pikë.
Duro, gati propozimi për drejtor teknik
Ish-trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, me shumë gjasa do të jetë drejtor teknik i klubit kuqebardhë. E themi këtë, pasi ditën e hënë pritet që të zhvillohet një takim mes Duros dhe presidentit Agim Zeqo, takim që do të zhvillohet në kryeqytet. Burime pranë presidencës korçare bëjnë me dije se Zeqo do ti propozojë, së pari, Duros, vendin e drejtorit teknik te klubi që punoi për 8 muaj, dhe pritet që pas kësaj bisede të merret edhe një përgjigje përfundimtare, nëse Duro do të jetë apo jo dakord me rolin e ri që do ti propozohet. Burime të tjera pranë presidencës bëjnë me dije se ky propozim do të vijë edhe pas asaj se ish-trajneri i kampionëve vazhdon të ketë një kontratë njëvjeçare me Skënderbeun, që përfundon në fund të sezonit.
Pritet një trajner portierësh për të plotësuar stafin
Nuk kanë të përfunduar ardhjet te Skënderbeu të trajnerëve të ndryshëm që po plotësojnë stafin e Skënderbeut. Në këtë mënyrë, pas trajnerit, Stanislav Levi, dhe trajnerit të dytë dhe përkthyesit Lorenc Hysi, që kanë ardhur nga Çekia, tashmë është bërë e ditur edhe ardhja e përgatitësit atletik Becka, ndërkohë që pritet edhe një tjetër.
Edhe pse nuk është publik lajmi, mësohet se çeku i fundit që do të mbërrijë për të plotësuar stafin teknik në Korçë do të jetë një trajner portierësh, por emri i tij është mbajtur sekret. Gjergji Kushe është trajneri që e ka bërë këtë rol deri tani, ndërkohë që me sa duket edhe ai do të largohet, për të mbetur vetëm Milutin Kërçiç.
Ka grumbullim, edhe ushqimi me orar fiks
Një ditë më parë u pa qartë se futbollistët e Skënderbeut edhe ujin e pinin me leje, ndërkohë që radha ditën e djeshme i ka ardhur ushqimit. Duke filluar nga dje, të gjithë futbollistët do të drekojnë dhe darkojnë së bashku në një orar fiks dhe ushqimi do të jetë i gjithi i kontrolluar me imtësinë më të madhe, kjo një përvojë që duket se deri dje e kanë pasur vetëm ekipet e mëdha në Europë, ndërkohë që tani do të praktikohet edhe te Skënderbeu. Po dje, është bërë edhe një marrëveshje mes klubit Skënderbeu dhe spitalit privat Ikeda, që ka të bëjë me atë se futbollistët e dëmtuar do të kurohen me çmim më të ulët te ky spital, pa udhëtuar jashtë kufijve.
Stafi bardhekuq, bashkë me familjet në Korçë
Nga Çekia nuk kanë mbërritur te Skënderbeu deri tani vetëm pjesëtarë të stafit, por edhe familjarë të tyre. Në këtë mënyrë, ditën e djeshme trajneri Stanislav Levi ka sjellë për të parë ndeshjen e sotme me Kamzën edhe djalin e tij, ndërkohë që ndihmësi i tij, Lorenc Hysi, prej tri ditësh ndodhet në Korçë bashkë me bashkëshorten e tij.
Pritet që në ditët në vazhdim të shohim edhe pjesëtarë të tjerë të stafit dhe kjo do të thotë se çekët do ta vizitojnë shumë në të ardhme qytetin e Korçës, veçanërisht Skënderbeun, pasi ky klub tashmë drejtohet nga një staf krejtësisht çek, një rast i rrallë në futbollin shqiptar.
