Rama: Turizmi malor do sjellë konsumatorë të nivelit të lartë, Shqipëria një Zvicër e Austri e Ballkanit

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste gjatë aktivitetit të sotëm “Infrastruktura, arritjet dhe sfidat për Shqipërinë 2030″, duke u ndalur tek ndërtimi i rrugëve, tha se janë ndërtuar rrugë jo vetëm që funksionojnë në vetvete, por të cilat nuk kanë kuptim pa njëra-tjetrën.
Kreu i qeverisë e lidhi ndërtimin e rrugëve edhe me zhvillimin e turizmit në vend, ku theksoi se Shqipëria ka ambicien që të bëhet kampion i turizmit në Ballkan.
“Rrugët po bëhen për të hapur në mënyrë të vazhdueshme shtigjet dhe për të rritur hapësirën në shfrytëzim të një vendi që ka ambicien të bëhet kampion i turizmit në Ballkan. Faktikisht ky është rrjeti i rrugëve, i akseve kryesore kombëtare, nëse ne do të vendosnim këtu edhe rrjetin e akseve jo kryesore, por përsëri kombëtare të cilat bëhen në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, do të shikonit që brenda këtyre zonave, ka të tjera rrugë të reja të rindërtuara, të cilat synojnë atë që do të synonte dikush që do të ndërhynte në një organizëm, ku arteriet janë bllokuar, ku qarkullimi i gjakut është konfuz edhe ku kolapsi është eminent. Çdo ditë kemi krijuar në mënyrë të vazhdueshme damarë dhe arterie jo vetëm që funksionojnë në vetvete, por rrugë të cilat nuk kanë kuptim pa njëra-tjetrën. Po të shikoni panoramën e gjithçkaje që është bërë në gjithë këtë vite, është krijimi i një rrjeti damarësh dhe arteriesh të cilat bëjnë sens se janë të lidhura me njëra- tjetrën dhe jo vetëm se janë aty në vetvete edhe për një pjesë të njerëzve”, tha Rama.
Rama u ndal tek turizmi malor, ku theksoi se në një fazë tjetër Shqipëria do të mund të çlirojë kapacitete të jashtëzakonshme duke sjellë konsumatorë të nivelit të lartë. Sipas Ramës, zonat malore në vend do të jenë një Zvicër dhe Austri e Ballkanit për sa i përket turizmit.
“Po të shohim sot Shqipërinë turistike, ne faktikisht kemi një shfrytëzim shumë intensiv të një fashe shumë të ngushtë që është fasha që i përket detit dhe të pikave ende shumë të rralla në territor. Ndërkohë që pasuria më e posaçme e shqiptarëve në aspektin e thesarit të natyrës në funksion të ekonomisë nuk është kjo, është gjithë kjo që është brenda dhe mbi të gjitha janë zonat malore të Shqipërisë, pse sepse aty në një fazë tjetër Shqipëria do të mund të çlirojë kapacitete të jashtëzakonshme të një turizmi që sjell konsumatorë të nivelit të lartë”, vijoi Rama.
“Ajo që e bën unike Shqipërinë është se të dyja këto i ka shumë afër, e para se të dyja këto jo vetëm i ka por, i ka ndryshe dhe i ka me shumicë, Shqipëria është shumë e vogël dhe ka 2 dete, ka 9 lumenj që e përshkojnë, ka vargmale të tërë që janë afër detit pa llogaritur liqenet e mëdha dhe një numër të madh liqenesh të vogla. Një nga ato rrugët e brendshme është rruga e Lurës, e cila është drejt përfundimit, e gjithë kjo që deti po i sjell Shqipërisë është jashtëzakonisht e rëndësishëm në këtë fazë, por në një fazë të dytë do të jetë themeli i asaj që Shqipëria do të ndërtojë në gjithë pjesën tjetër, ku do të jetë realisht një Zvicër, një Austri e Ballkanit. Për sa i përket turizmit të kuptohemi, jo nivel më i ulët, por i njëjti nivel”, tha Rama. /j.p/