Balluku: Unaza e Çajupit, rruga e Liqeneve dhe ajo e Maleve, përfitime të larta në punësim dhe turizëm

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Belinda Balluku prezantoi sot projektet e reja rrugore të projektuara për t’u ndërtuar në 4-vjeçarin e ardhshëm.
Në fjalën e saj në aktivitetin “Infrastruktura, arritjet dhe Sfidat për Shqipërinë 2030″, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Balluku tha se “ka ardhur koha për një zhvillim tjetër, që hyn brenda rajoneve, por jo thjesht me rrugët që jemi mësuar deri sot. Nisim dizenjimin e disa rrugëve, të cilat lidhin rajone të ndryshme duke rritur kapacitetet ekonomike bazuar mbi turizmin, bujqësinë, ekonominë e shërbimeve”.
“E para është rruga e bregut, që lidh Dhërmiun me Sarandën, një gjurmë totalisht e re, e cila lidhet me Palasë-Dhërmi dhe duke lënë të paprekur rrugën ekzistuese. Kjo do të jetë një vepër sfiduese duke patur parasysh relievin ku do operojmë. Sot të gjitha rrugët, projektet ndërtohen pas një gare ndërkombëtare sa i përket projektimit dhe studimit, e kemi një studim për vargmalin e Llogorasë, do donim kështu të jetë e gjithë rruga, do të ketë disa vepra, siç janë urat lidhëse. Përfitimet indirekte janë të larta, sa i përket punësimit, turizmit apo nuklave ekonomike”, theksoi Balluku.
Balluku u shpreh se “unaza e Çajupit, është një tjetër rrugë panoramike që lidh në mënyrën më poetike një pjesë të Zagorisë, me Gjirokastrën, Libohovën e Çajupin. E gjithë kjo unazë do krijonte një zhvillim të ri ekonomik në zonë, duke krijuar një lidhje të qenësishme për pushime që mund të nisin në Zagori dhe përfundojnë në Jon. E kemi quajtur rruga e Vjosës, pasi kjo rrugë nis në Korçë, duke vijuar me segmentin Korçë- Ersekë e më pas shkon në Përmet e Tepelenë, duke krijuar një kohezion rajonal me disa qytete”.
“E kemi studiuar këtë rrugë, në bashkëpunim me bashkitë, kemi identifikuar se dalja e pjesës lindore edhe në Jon krijon një atraksion edhe më të madh. Një nga pjesët interesante që kemi studiuar dhe kemi punuar bashkë me bashkitë Skrapar, Berat dhe Gramsh është edhe një ndërlidhje mes këtyre tre bashkive, për të krijuar një nukël tjetër ekonomike, që duke u lidhur në Elbasan, krijon një lidhje ekonomike dhe akses të plotë në zona të paprekura deri më sot”, tha Balluku.
Rruga e liqeneve, vijoi Balluku, është rruga që kalon pranë Shkopetit dhe Ulzës dhe do të krijojë mundësinë e një infrastrukture të mirëfilltë rrugore, të kategorisë C.
“Më pas kalojmë në rrugën e maleve. Një rrugë e rëndësishme për rajonin verior është rruga e dikurshme e Sharrave. Është një rrugë malore, panoramike, që përshkon pyjet e veriut, krijon akses në një nga zonat më të largëta dhe të paprekura deri më sot. Në dalje të Muriqanit, tek vijon rruga për korridorin blu ka një lidhje prej 5 km që futet brenda Shkodrës”, nënvizoi Balluku.
Balluku theksoi se “ të gjitha këto rrugë po ndërtohen për shkak të numrit të automjeteve që është rritur me 162%. Duke patur parasysh këtu automjetet stok të regjistruara në DPSHTRR, pa futur automjetet e vizitorëve”.
Sipas saj, synimi kryesor në fazën e projektimit është që të gjitha këto rrugë të jenë rrugë të sigurta.
“Numri i aksidenteve krahasuar me 2013, është ulur me 11% ndërkohë që shifra më e rëndësishme është indeksi i vdekshmërisë, është ulur me 72%. E kemi shumë më të ulët indeksin e humbjes së pasagjerit apo shoferit të automjetit në aksidente”, u shpreh Balluku.
/k.s/j.p/