E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Financimi i hekurudhave, më i lehtë pas anëtarësimit në BE

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, vetëm duke u bërë anëtarë të BE-së mund të financohen më shpejt hekurudhat dhe projektet e mëdha.

Në aktivitetin “Infrastruktura, arritjet dhe Sfidat për Shqipërinë 2030”, Rama foli për ndërtimin e hekurudhave.

“Kemi filluar punën për Tiranë-Durrës në 2014. Të ndërtosh hekurudha sot, ose vepra të mëdha të këtyre përmasave dhe të jesh jashtë BE-së është një gjë heroike, pasi ajo që na ndodhi ishte që ne aplikuam në 2014 morëm “ok” në 2015, dolëm dhe thamë se do bëjmë hekurudhën duke marrë fjalën e atyre dhe pa e njohur mirë si funksionon makineria ne thuaj do të bëjmë hekurudhën, shtyu koha, shtyu koha, dha faktikisht puna reale e projektimit dhe financimit të hekurudhës ka filluar në 2020, që të jemi të qartë, pas përfundimit të projektit dhe financimit”, tha Rama.

Ndërkohë, shtoi Rama, “për të gjithë hekurudhat e tjera jemi sot në një proces më të avancuar sepse kemi hyrë më thellë në rrugën e anëtarësimit në BE dhe jemi përfituesi deri tani kryesor nga plani i rritjes së BE-së sepse kemi bërë të gjitha detyrat që kemi marrë përsipër”.

Ama, nënvizoi Rama, “nëse shqiptarët duan që të gjitha këto hekurudha dhe vepra të tjera të nevojshme, por edhe financime shumë më të konsiderueshme për ato nuklet ekonomike të ndodhin më shpejt sesa kapacitete tona të brendshme, duhet të kuptojnë që këto mund të ndodhin më shpejt vetëm duke u bërë anëtarë të BE-së, sepse aty ndryshon komplet logjika”.

“Për të gjitha këto vepra ne kemi marrë ose financime ose angazhime për financim nga instrumenti i WBIF që është Fondi i Investimeve të Ballkanin Perëndimor që mbështetet nga BE, por që është 90% kredi”, tha Rama.

Pra, u shpreh Rama, “BE na ka ndihmuar ne për këto dhe në totalin e vet Shqipëria ka marrë nga BE, pa llogaritur këto angazhimet e fundit diçka më shumë se 1 miliard, por 90% kredi. Jo kredi komerciale, po prapë kredi. Domethënë kredi që peshojnë në buxhetin tonë dhe në angazhimet tona”.

“Nëse ne bëhemi dhe kur ne të bëhemi se nuk është puna nëse, por kur ne të bëhemi anëtarë të BE-së, ne do të marrim diçka më shumë se 1 miliard çdo vit dhe 90% do jenë grante”, theksoi Rama.

“Pra, parafytyroni se çfarë ndryshimi ndodh në gjithë këtë panoramë nëse ti e di që në 4 vitet e ardhshme ose në 7 vitet e ardhshme se janë 7-vjeçarë buxhetet e BE-së ti ke 7 miliardë që i ke të tuat, jashtë buxhetit tënd, jashtë angazhimeve të tjera që ti mund të marrësh me kredi. Ti 7 miliardë i ke të tuat. Ke mundësi të planifikosh gjithë këtë transformim jo duke ëndërruar dhe pastaj duke luftuar çdo ditë si të mbledhim më shumë para këtu, duke shkuar atje, duke u lutur atje, duke e bërë këtë, duke pritur atë, jo burokracia e këto. Por duke e pasur që në fillim. Është ndryshim epokal. Është Shqipëria në një nivel tjetër, komplet nivel tjetër”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›