E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Qendra e Monitorimit të Trafikut do largojë policët nga rruga, gjobat në kohë reale e transparente

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste gjatë një aktiviteti të zhvilluar sot “Infrastruktura, arritjet dhe Sfidat për Shqipërinë 2030”, tha se edhe Qendra e Monitorimit të Trafikut është pjesë e sistemit të rrugëve.

Sipas Ramës, ky projekt i cili është gati ka si qëllim të rrisë sigurinë rrugore dhe të ulë aksidentet duke përdorur teknologjinë më të fundit.

Rama u shpreh se Qendra e Monitorimit të Trafikut është pjesë e gjithë kësaj pune për infrastrukturën.

“Po bëhet një punë e posaçme për të trajnuar gjithë stafin që do të lidhet me projektin që ne kemi nënshkruar dhe është dizajnuar me Emiratet e Bashkuara Arabe, për të pasur gjithë territorin duke filluar nga qytete, qendrat e qarqeve, spitalet, institucionet publike, shkollat, me radhë akset kombëtare në një sistem kamerash inteligjente, që këta njerëz që do të jenë këtu, në ato ekrane do të shohin çdo rrugë në kohë reale”, u shpreh Rama.

Rama tha se se ky projekt ka për qëllim të eliminojë nevojën për prani fizike të policisë në rrugë.

“Sistemi është i tillë që në mënyrë të menjëhershme do të sinjalizojë për një rritje shpejtësie, nuk do të ketë më policë në rrugë, punonjësit e policisë do të jenë të organizuar në një mënyrë tjetër të jenë të gatshëm, por jo të rrinë aty të dalin e të thonë ndalo pak”, tha Rama.

Rama shtoi se “sistemi i kontrollit në kohë reale të shpejtësisë do të bëjë që nga njëra anë gjobat të jenë të menjëhershme. Po punojmë që gjoba të vijë në Iphone bashkë me portretin tënd në kohë reale”.

Kryeministri theksoi se ky sistem ka potencialin të transformojë sigurinë rrugore në Shqipëri, duke ndihmuar në uljen e aksidenteve.

“Por përveçse gjobat do të jenë në kohë reale transparente, por do të ketë një efekt të jashtëzakonshme mbi uljen e aksidenteve. Sistemi do të ketë një kapacitet të panjohur më parë nga forcat e sigurisë për identifikimin e personave problematikë, jo problematikë në raport me person në kërkim por edhe me mospagesën e sigurimit të makinës. Nuk do të mundet dot makina të dalë në rrugë e pasiguruar pa u parë”, u shpreh Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›