E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Ylli i fatit tonë i përputhur me yllin e fatit të BE-së, duhet ta shfrytëzojmë

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, duhet të shfrytëzohet momenti i hapjes së derës nga BE për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 20207.

Në aktivitetin “Infrastruktura, arritjet dhe Sfidat për Shqipërinë 2030”, Rama u shpreh se, “futja jonë në BE tani është një fat që na ka ardhur ne në dorë dhe është një mundësi që është krijuar nga rrethana që nuk janë vetëm për meritën tonë”.

“Ne kemi bërë punën tonë sepse ne e kemi arritur të bëjmë atë që në fakt unë gjithmonë kam folur me gjithë bashkëpunëtorët e mi. Ne duhet të jemi aty në vendin e duhur kur të vijë momenti i duhur. Se kur vjen momenti i duhur këtë nuk mund ta dimë se nuk dimë se kur iu ndryshon atyre mendja dhe thonë hape derën. Por ja që ndodhi një tragjedi e luftës, ndodhën dhe ca rrëmuja të tjera më pas dhe tani dera është e hapur”, tha Rama.

Por përsëri, shtoi ai, “ne nuk e dimë sa kohë do rrijë e hapur”.

“Ne dimë që na është dhënë një hapësirë 2 vjet deri në 2027-ën që ne të mbyllim gjithë negociatat dhe këtë hapësirë na e kanë dhënë ata. Pra ata nuk kanë nga shkojnë deri në 2027-ën nëse ne bëjmë të gjitha detyrat”, vuri në dukje Rama.

“Po mbyllëm negociatat ndryshon komplet pozicioni. Janë 27 vende që duhet ta marrin Shqipërinë dhe ta miratojnë në parlamentet e tyre sipas procedurave që kanë, por ama ne i kemi mbyllur negociatat”, tha Rama.

“Nëse ne nuk i mbyllim negociatat dhe zvarritemi dera mund të mbyllet dhe mund të na ndodhi larg qoftë siç i ka ndodhur të tjerëve. I ka ndodhur Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut është bërë kandidate në 2005-ën. Imagjinoni në 2005. 20 vjet përpara ata u bënë vend kandidat. I pari vend kandidat i gjithë Ballkanit dhe iu dha një dorë për të shtyrë përpara. Për një periudhë kohe ishin një shembull që përmendej gjithmonë. Sot janë ku e ku mbrapa nesh, sepse iu mbyll dera, për arsye të tjera. Mali i Zi i ka filluar negociatat në 2012-ën. Ishte deri në fund gati që t’i mbyllte tani ndërroi metodologjia, tani Mali i Zi është njësoj me ne, është në një korsi. Serbia i ka filluar në 2014-ën, është ku e ku mbrapa nesh tani”, theksoi Rama.

“Kështu që ne kemi këtë moment që na janë përputhur yjet, ylli i fatit tonë me yllin e fatit të BE-së dhe duhet ta shfrytëzojmë”, u shpreh Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›