E Martë, 3 Nëntor 2026

Spiropali: PS ndryshoi Kamzën, vota e 11 majit investim për Shqipërinë në familjen evropiane

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali i bëri apel sot të rinjve në Kamzë të votojnë për PS-në në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke theksuar se “5 mijë votues për herë të parë në Kamzë dhe mijëra votues në qarkun e Tiranës dhe gjithë Shqipërinë duhet ta investojnë këtë votë për të ardhmen e tyre të sigurtë për pasaportën tonë evropiane”.

Në takimin me të rinjtë e Kamzës për Shqipërinë 2030, Spiropali tha se “këta të rinj duhet ta investojnë këtë votë që ne të jemi në dyert e BE-së dhe të hyjmë të ulemi në atë tryezë si të barabartë, ta ngjisim më në fund të përpjetën e madhe të bashkimit me familjen tonë natyrale që është familja evropiane nga e cila na kanë mbajtur të ndarë për aq gjatë. Sa herë që Shqipëria ka qenë e lirë ka zgjedhur Evropën dhe Evropën do të zgjedhë në 11 maj me numrin 5”.

Duke folur për ndryshimet që janë bërë gjatë qeverisjes së PS-së, Spiropali tha se “ju e dini më mirë se unë se si ishte Paskuqani para pak vitesh e si është sot. Si ishte Kamza e si është sot. Mund të themi me plot gojën që puna që është bërë këtu nga kryebashkiaku Rakipi me mbështetjen e Kryeministrit Rama ka ndryshuar rrënjësisht situatën e infrastrukturës, shërbimeve dhe familjeve në bashkinë e Kamzës”.

Spiropali tha se “në 2019 vetëm 35 % e territorit të bashkisë Kamzë ishte e e mbuluar me ujësjellës kanalizime”.

“Këtu janë bërë 165 km rrugë dhe janë në proces 65 kilometra të tjerë dhe 95% e territorit është sot e mbuluar me ujësjellës kanalizime. Janë rindërtuar dhe rikonstruktuar 39 objekte arsimore, çerdhe, kopshte dhe shkolla. Në bashkinë e Kamzës janë 20 mijë nxënës. Është bashkia e tretë me numrin më të lartë të nxënësve në vend. Është një bashki e re me plot energji, prandaj kemi investuar kaq shumë në çerdhe, kopshte, shkolla, rrugë, parqe, pedonale. Në këtë park 84 ha i janë kthyer si pronë bashkisë së Kamzës dhe të gjithë qytetarëve këtu”, u shpreh Spiropali.

Më tej, Spiropali u shpreh se “të gjithë ata që kanë hedhur votë për PS-në e kanë kuptuar se çfarë vlere madhështore ka vota”.

“I keni parë kundërshtarët tanë politikë si e përdorin pa teklif fjalën madhështore, por asgjë madhështore nuk ka as në të shkuarën e  tyre as në të tashmen dhe as në të ardhmen që ata nuk do ta kenë kurrë sepse ata janë e shkuara që duan të shiten si e ardhme. Por nuk ia hedhin dot asnjë të riu asnjë votuesi për herë të parë, që sot ka mundësinë, misionin që votën e parë ta hedhë për Shqipërinë evropiane me Edi Ramën dhe PS-në për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, tha Spiropali duke shtuar se kjo nuk është një ëndërr, nuk është një slogan, një flamur, edhe pse flamuri i BE-së është një flamur aq i bukur.

Spiropali u shpreh se “sigurisht flamuri ynë është më i bukuri në botë, por dhe ky i BE-së ka brenda ëndrrat tona, përpjekjet historike të shqiptarëve, por ka brenda edhe ëndrrat e të rinjve si ju”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›