E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balotazh në Afganistan

Rivali kryesor i presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai, është pajtuar sot të marrë pjesë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, i cili do të zhvillohet më 7 nëntor, pikërisht në momentin kur vendi po përballet me kryengritjen e intensifikuar të talebanëve.

Ish-Ministri i Jashtëm i Afganistanit, Abdullah Abdullah, këto komente i bëri para gazetarëve, një ditë pasi që Karzai u dorëzua para trysnisë së fuqishme të SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare, duke pranuar zbulimet e një ekipi hetues të OKB-së, i cili konstatoi se ka pasur manipulim masiv të votave në favor të tij, pas zgjedhjeve presidenciale, të cilat u zhvilluan më 20 gusht.

Ky ekip theksoi se Karzai nuk ka arritur të tubojë 50 për qind të votave, për të siguruar fitoren qysh në rrethin e parë.

Abdullah tha se i ka telefonuar Karzait, për ta falënderuar atë që ka pranuar të marrë pjesë në rrethin e dytë zgjedhor.

Jemi të gatshëm për rrethin e dytë, tha Abdullah, duke kërkuar nga zyrtarët afganë që të organizojnë zgjedhje të lira, korrekte dhe të besueshme. Deklarata e Abdullahut hapi shtegun për zgjedhjet, për të cilat sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka theksuar se do të jenë sfidë e madhe për zyrtarët afganë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›