E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baloteli gjobitet pas akuzave ndaj Veronës

VERONA- Mario Baloteli është gjobitur me 7 mijë euro pas deklaratave të tij për tifozerinë e Veronës ditën e mërkurë. Vendimi është marrë nga gjykatësi sportiv Xhanpaolo Tosel, por që e ka argumentuar atë me duartrokitjen provokuese në adresë të tifozëve në momentin e daljes. Ndërkohë, një gjobë prej 15 mijë eurosh ka marrë edhe Interi, për koret raciste të tifozëve zikaltër ndaj lojtarit të Kievos Luçiano. Në fakt, vendimi për të gjobitur Balotelin duket më shumë si një ndëshkim për deklaratat e tij në përfundim të takimit. “Sa herë që vij këtu, publiku i Veronës ma shpif gjithnjë e më shumë”, deklaroi ai, duke shkaktuar reagimin e drejtuesve të Kievos, por edhe të kryetarit të bashkisë së Veronës. “Baloteli nuk mund të ofendojë Veronën”, tha presidenti Kampedeli. Ndërkohë, Masimo Morati tha të enjten se fjalët e Balotelit ishin në të nxehtë e sipër. “Pas ndeshjes thuhen shumë gjëra”, u shpreh ai. Vetë Baloteli ndërkaq, në sitin e tij i ka kërkuar falje një pjese të tifozerisë. “Nuk i kërkoj falje atij që më fyeu, - shkruante Baloteli, – por i kërkoj dalje atij që nuk kishte lidhje fare me këtë skenë. Duhet të saktësoja se e kisha për atë tifozë që bënin “buu” kur po dilja”. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›