E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baloteli prezantohet te Siti: Nuk jam "bad boy"

“Këtu thonë që jam ‘bad boy’? Jo, nuk jam djalë i keq. Thjesht jam pak i lëvizur...”. Me këto fjalë Mario Baloteli është prezantuar sot në konferencën e parë si futbollist i Mançester Sitit. Baloteli foli në italisht, por duke përdorur herë pas here edhe fraza në anglisht.

Epitetin “bad Boy” për 20-vjeçarin e ka mohuar edhe Roberto Mançini: “E njoh mirë Marion. Ka debutuar në Serinë A kur ishte 17 vjeç. Kam punuar një vit me të dhe nuk kam pasur asnjë problem. Nami i keq për të është i padrejtë. është një lojtar i madh dhe i ka të gjitha mundësitë të bëhet sulmuesi më i fortë në botë”.

Në vijim të fjalës super Mario konfirmoi interesin e shumë skuadrave për ta pasur gjatë kësaj vere, por vendosi të vijë te Siti pasi mendon se është mjedisi i duhur për t’u rritur.”Prania e Mançinit ishte thelbësore për të më bindur të vij këtu. Kam gjithë besimin e tij, të cilin duhet t’ia shpërblej”, theksoi ai.

Megjithëse mediat i kushtuan faqe të tëra marrëdhënieve të tij me Interin, Baloteli sqaroi se raportet në Milano kanë qenë normale me të gjithë: “Nuk kam pasur probleme me skuadrën. Me shokët shkoja mirë, të gjithë më donin. Edhe me Moratin kam pasur gjithnjë marrëdhënie të shkëlqyera”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›