E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet fluksi i kalimeve në Kapshticë dhe Kakavijë

Sipas burimeve nga policia kufitare e Kapshticës, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 4 428 dalje të shtetasve shqiptarë dhe të 1 315 automjete, 371 dalje të shtetasve të huaj dhe 204 automjete. Ndërkohë ka pasur 2 462 hyrje të shtetasve shqiptarë, dhe 731 automjete dhe 274 hyrje të shtetasve të huaj dhe 141 automjete.

Për të përballuar fluksin e hyrjeve dhe të daljeve në pikën kufitare të Kapshticës, pala jonë po punon me 4 sportele në hyrje dhe tre në dalje. Pala greke punon me katër sportele, por për shkak të procedurave të kontrollit të dokumenteve nga ana e autoriteteve greke ka pasur shumë vonesa.

Në ditët në vijim pritet që në Kapshticë, fluksi i daljeve të jetë shumë më i madh për shkak se emigrantët kanë filluar të kthehen në vendet e punës.

Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, gjatë muajit korrik hynë 45 mijë persona, ndërkohë që vetëm gjatë 15 ditëve të para të muajit gusht hynë më shumë se 45 mijë.

Rritje e numrit të emigrantëve që dalin dhe hyjnë në vendin tonë shënohet edhe në pikën kufitare të Kakavijës. Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit për qarkun e Gjirokastrës, bën të ditur se përmes Kakavijës gjatë 12 orëve të fundit kanë hyrë nga Greqia për në Shqipëri, 5 mijë emigrantë, 1786 automjete, si dhe 40 autobuzë të linjës ndërkombëtare Athinë -Tiranë.

Mësohet se rruga kombëtare Kakavije-Ballsh, me gjatësi rreth 120 km, është mbingarkuar nga qarkullimi i automjeteve të shumta. Në të gjitha akset në jug të vendit janë vendosur patrulla të qarkullimit rrugor, të cilët po punojnë për normalizimin e situatën së ngarkuar.

Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës, në kufirin Shqipëri-Greqi funksionojnë me kohë të plotë dy pika kufitare, ajo e Kakavijës dhe "Tre Urat", që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›