E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baloteli sërish jashtë, tani kthehet në çështje

MILANO- Mario Baloteli është lënë sërish në shtëpi. Sulmuesi i ri i Interit ishte përjashtuar më parë nga ndeshjet me çelsin dhe Palermon dhe mendohej se do të ishte në dispozicion të Murinjos për takimin e së mërkurës ndaj Livornos. Por, fakti që futbollisti nuk ka kërkuar falje e për më tepër, polemikat e lindura pas veshjes së fanelës së Milanit si dhuratë nga emisioni “Striscia la Notizia”, duket se kanë nxehur sërish ambientin zikaltër. “Në Londër nuk fitoi Murinjo, por skuadra”, ishte fraza e thënë prej tij të hënën. Në seancën e sotme, Baloteli është stërvitur rregullisht me skuadrën, por më pas, në orën 11.40 ka lënë qendrën stërvitore të Pinetinës duke i dhënë gaz në maksimum makinës së tij. “Baloteli nuk është as në formë të mirë fizike, as mendore, - sqaroi presidenti Morati. – Kjo situatë gjithsesi them se do të kalojë”. Vendimi ka qenë jo pak surprizë, duke parë se tekniku portugez ka shumë probleme në sulm. Në seancën e paradites është dëmtuar Diego Milito, i cili është ankuar për një problem muskular në kofshë. Gjithsesi, ai është grumbulluar me pjesën tjetër të ekipit, por ende nuk dihet nëse do të luajë apo jo. Të mërkurën në mëngjes do të jetë prova e fundit për Militon, të cilin Murinjo nuk kërkon ta humbasë, aq më tepër që do të mungojë edhe Uesli Shnajder. Në shtëpi është lënë edhe Santon që ka gjurin të enjtur. I detyruar nga mungesat, Murinjo ka thirrur edhe sulmuesin e Primaverës së Interit Matia Destro, një 19 vjeçar që premton shumë. Një rikthim i bujshëm i zikaltërve është ai i Kristian Kivu, i dëmtuar në ndeshjen me Kievon më 6 janar.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›