E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balotelli, hero i Cityt

Mario Balotelli më në fund nuk bën lajm me ndonjë incident por me paraqitje të mirë në fushë. Sulmuesi italian ishte hero në fitoren e skuadrës së tij ndaj Tottenhamit 3-2, duke shënuar golin e fitores pas inkuadrimit në lojë si rezervist.

Pas një pjese të parë relativisht të qetë, e dyta ishte përplot emocione të jashtëzakonshme. City kaloi në epërsi në minutën e 56-të nëpërmjet mesfushorit francez Samir Nasri.

Vetëm tre minuta më vonë qendërmbrojtësi Joleon Lescott dyfishoi epërsinë e vendasve. Atëherë kur besohej se skuadra e Roberto Mancinit ishte duke shkuar drejt një fitoreje të sigurt, ndodhi e kundërta. Tottenham u kundërpërgjigj në mënyrë të jashtëzakonshme dhe shumë të shpejtë.

Në minutën e 60-të, sulmuesi Jermain Defoe shfrytëzoi një gabim të qendërmbrojtësit të Cityt, Stefan Savic dhe daljes së portierit Joe Hart duke realizuar për 2-1. Hiq më shumë se pesë minute më vonë, Gareth Bale heshti tifozët vendas dhe u dha arsye për shpërthim atyre mysafir duke realizuar një gol të bukur për 2-2.

Por, kur besohej se takimi do të përfundonte në barazim, Mario Balotelli u inkuadrua në lojë dhe la gjurmë vendimtare. Në minutën e 93-të nxori një penallti dhe vet e realizoi atë për fitoren e madhe të Cityt.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›