Balta e Superliges

Ka qenë një e diel e zymtë në shtëpitë e futbollit në Shqipëri. Kjo, jo vetëm për hidhërimin që shkaktoi humbja e jetës së futbollistit kuksian, Ilirian Thaçi, të premten që kaloi.
Me shumë pak tifozë nëpër stadiume, 3 ndeshjet e luajtura në Peqin, Vlorë e Tiranë, u zvarritën në kushte tepër të vështira, mes shiut e baltës.
Kjo u duk qartë që përpara sesa të fillonin përballjet, ndërsa po bëheshin kontrollet e fundit sipas procedurave. Gjithsesi, futbolli u përpoq të gëzonte disi dhe një portier me mbiemrin Hoxha bëri dy pritje të shkëlqyera në emër të Besës, ndonëse më pas u mposht, madje 3 herë, në një humbje të rëndë.
Lojtarët luftuan e dyluftuan, duke ia nxjerrë njëri-tjetrin dufin e vuajtjeve. Në fund, kavajasit u hidhëruan nga humbja 3-1 në fushë neutrale.
Në Vlorë, ndeshja nisi me protestën e tifozëve për krizën e rezultateve, ndërsa të paktën autombulanca ishte në vendin e duhur për çdo të papritur.
Ndeshja u luajt nën një shi me gjyma dhe në fushë e kalbëzuar dhe trajneri Hulian Rubio Sançez ndoshta mendonte në ato çaste për Spanjën e tij ku e ku më moderne.
Edhe këtu duele dhe përbaltje, ndërsa ndonjë fatlum e mbyllte kalvarin para kohe sepse trajneri i tij vendoste ta zëvendësonte. Në kushte të tilla, edhe goli duket disi qesharak, ndonëse është gol si të gjithë të tjerët.
Së fundi, në “Qemal Stafa”, tek lavdia që pret të shembet dhe që po shuhet para kohe. Tirana ia doli të fitonte aty 2-1 ndaj Laçit, ndonëse balta u kursye disi për shkak se reshje pati pak. Veçse, më e rëndë ishte braktisja e futbollit nga ana e tifozëve, në një stadium të zbrazët, një pamje që vret.