Murinjo do te ike

Lajmi më i madh për tregun e trajnerëve shpërthen si një bombë me tritol. Zhoze Murinjo nuk do të jetë trajner i Realit të Madridit në fund të këtij sezoni. Vendimi është marrë, siç bën me dijë gazeta autoritare “Marka” në Madrid dhe tani thjesht po bisedohet për kushtet e divorcit.
Pas largimit të Pep Guardiolës nga Barcelona në maj, kjo është ngjarja më e rëndësishme e stolave të futbollit në të gjithë botën, diçka që ndihej në ajër që mund të ndodhte, por që gjithkush e cilësonte si të pamundur.
Veçse, është vetë presidenti Florentino Perez që e ka mbledhur mendjen, pasi e ka mbrojtur trajnerin për dy vjet e gjysmë në të gjithë konfliktet që ka pasur dhe që nuk kanë qenë të paktë.
Presidenti mendon se Murinjo është duke u vetëvrarë me vendimet dhe luftërat e tij. Konflikti me Sergio Ramosin dhe ai me kapitenin Iker Kasijas janë diçka tepër e rëndë, por të mos harrojmë se më parë konflikti ishte me një legjendë si Valdano, pastaj duket edhe me Zidanin, ndërsa në fund me trajnerin e akademisë, Toril.
Sipas “Markës”, edhe vetë Murinjo tashmë mendon se nuk ka kuptim të vazhdohet pas qershorit të ardhshëm, veçse klubi bën kujdes që të ketë ndarje të butë, pasi në lojë është prestigji si dhe Kupa e 10-të e kampionëve në histori. Sa për kampionatin, e kotë të flitet. Duket se Barça dhe Mesi e kanë vrarë para kohe.