Bambi, i privilegjuar
Drejtuesve të kampionit të Kosovës, Sigal Prishtina, u ka humbur durimi. Bardhekaltrit janë ankuar në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), pasi konsiderojnë se klubi serb nga Mitrovica, Bambi, është i privilegjuar nga FBK’ja, e cila ndaj këtij ekipi ka bërë lëshime vazhdimisht që prej formimit të tij.
Rasti i fundit, tek i cili mbështeten prishtinasit, është ndeshja e së dielës. Ata vlerësojnë se Bambi në këtë ndeshje ka pasur në parket më shumë lojtarë të huaj se që e lejon rregullorja e shtëpisë së basketbollit kosovar.
Kampionët e Kosovës thonë se nuk janë kundër asnjë klubi, por kërkojnë që të respektohet rregullorja e FBK-së, që, sipas tyre, në rastin e klubit serb nga Mitrovica nuk po ndodh.
“Bordi i klubit tonë ka bërë një ankesë në FBK, ku kërkon arsye se pse po ndodhin gjithë këto gjëra. Disa gjëra nuk janë në rregull. Më saktësisht, ne kërkojmë që të ketë barazi ndër klube. Ne nuk jemi kundër asnjë komuniteti, çdo klub joshqiptar që merr pjesë në Superligë është i mirëseardhur për ne, e besoj edhe për klubet tjera. Mirëpo, FBK ka bërë lëshime disa herë ndaj klubit serb Bambi”, u shpreh për Express drejtori i Sigal Prishtinës, Artan Rugova.
Sipas tij, FBK e kishte shkelur rregulloren edhe kur vetë ai ishte pjesë e këtij institucioni, kur Bambi ishte tërhequr nga garat dhe më pas është dashur të garonte në një rang më të ulët garash. Me atë rast, udhëheqësit e FBK-së i kishin mbyllur sytë dhe veshët dhe ia kishin mundësuar klubit mitrovicas që të garojë sërish në Superligë.
Rugova thotë se në ndeshjen e së dielës, Bambi kishte plot lojtarë të huaj, gjë që është në kundërshtim me rregulloren e FBK-së, e cila lejon vetëm tre lojtarë të huaj të paraqiten me një ekip.
“Sigal Prishtina nuk është kundër që Bambi të përforcohet. Le të marrë lojtarë edhe nga Amerika, por duhet që këtë ta bëjë komfor rregullave. Jam i sigurt 100 për qind se në ndeshje ndaj nesh ky ekip kishte 4-5 lojtarë të huaj. Për Sigal Prishtinën nuk ka qenë shumë e rëndësishme se a e humb apo e fiton lojën me Bambin, por neve na pengon mosrespektimi i rregullores”, vazhdoi Rugova i cili njëherësh është edhe nënkryetar i FBK-së.
Ish basketbollisti kosovar, në emër të Bordit të Sigal Prishtinës, kërkon nga komisionet e FBK-së, përkatësisht nga ai për regjistrim të lojtarëve, që të jenë më syhapur, që të bëjnë verifikim më të madh për cilindo klub.
Prishtinasit kërkojnë që secili klub të konsiderohet i barabartë, gjë e cila, sipas tyre, nuk po ndodh. Prishtinasit kërkojnë dokumente shtesë për lojtarët e Bambit, por edhe të klubeve të tjera, në mënyrë që të ketë më shumë fakte nëse ata janë lojtarë vendorë apo të huaj.
“Bambi financohet nga institucionet e Kosovës dhe duhet t’i respektojë rregullat. Ata luajnë pa dokumente civile të Republikës së Kosovës. Ku ta dimë ne se a janë lojtarë vendorë apo të huaj, kur nuk ka fakte bindëse? FBK duhet t’i obligojë ata lojtarë që të sjellin certifikata të lindjes, për ta dëshmuar se janë vendorë. Nëse nuk i kanë, duhet të shkojnë në zyrat e regjistrimit civil për t’u bërë qytetarë civilë të Republikës së Kosovës dhe me këtë vërtetim nuk do të kishin kurrfarë problemi”, vijon Rugova.
Rregullorja e FBK-së e konsideron një lojtar vendor nëse njëri nga prindërit e tij është i lindur në Kosovë. Por, edhe me këtë rast duhen dokumentacione bindëse dhe me fakte. “Atëherë, le t’i obligojë FBK këta lojtarë që t’i sjellin certifikatat e lindjes së prindërve të tyre. Ngase kjo nuk ka ndodhur deri tash”, theksoi drejtori i klubit prishtinas.
Për FBK’në, të gjitha klubet janë të barabarta
Në anën tjetër, komisari i garave i FBK-së, Nazmi Paçarada, ka konfirmuar se prishtinasit kanë dërguar një ankesë në federatë, përkatësisht për komisionin për regjistrim dhe kalim të basketbollistëve, por ai këtë më shumë e quan vetëm si vërejtje, sepse nuk është e kompletuar me procedurat që nevojiten për t’u quajtur ankesë.
“Unë si komisar i garave në FBK mund t’i përgjigjem kështu kësaj vërejtjeje: Në vitin 2006, kur është inkuadruar në ligë Bambi, FBK, në marrëveshje me këtë klub, ka marrë vendim që një lojtar i cili e ka njërin prind të lindur në Kosovë, e që regjistrohet nga Bambi, të konsiderohet si lojtar vendor. Ky rregull vlen ende, kështu që ky klub këtë sezon ka vetëm dy lojtarë të huaj, të tjerët konsiderohen vendorë, pasi së paku njërin prind e kanë të lindur në Kosovë”, theksoi Paçarada.
Paçarada zotohet se mundohet gjithmonë të jetë sa më strikt dhe të kërkojë informacione në detaje për lojtarët që i regjistron Bambi, por edhe klubet tjera.
“Në të ardhmen mund të kërkojmë edhe ndonjë dokumentacion shtesë, për të qenë sa më konkrete dhe më të besueshme këto transferime. Unë mundohem të veproj në atë mënyrë që të gjitha klubet e Superligës të kenë tretman të njëjtë. Në FBK nuk ka kurrfarë ‘ledhatimi’ për asnjë klub”, shtoi komisari i garave i FBK-së.
Ai, si fakt që FBK nuk ia mban anën asnjë klubi, e përmendi rastin e basketbollistit Muhamet Thaçi, i cili është lindur në Shkup, por prindërit e tij ishin lindur në Kosovë, kështu që ai konsiderohej lojtar vendor kur luante në basketbollin kosovar.