E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaka, ylli i ri i Baselit

Granit Xhaka po shndrit si një yll këtë sezon. Mesfushori i ri kosovar është bërë pjesë e rëndësishme e Baselit në ndeshjet e fundit, duke e zëvendësuar për mrekulli veteranin Benjamin Huggel. 18 vjeçari vlerësohet lart nga mediat, të cilat shkruajnë se Xhaka para ka një të ardhme të ndritshme. Nga Express më 22 shkurt 2011 në ora 12:13

Granit Xhaka po shkëlqen këtë sezon me kampionin zviceran, Basel. Futbollisti i ri kosovar në Zvicër ka filluar ta marrë emër: ylli i ri i Baselit. Mesfushori i ri kosovar po e zëvendëson për mrekulli futbollistin Benjamin Huggel në mesfushën e ekipit zviceran.

Ueb faqja zvicerane 4-4-2.com ia ka kushtuar një tekst të veçantë 18 vjeçarit, i cili ka luajtur rregullisht në ndeshjet e fundit të Baselit, si në kampionatin zviceran, ashtu edhe në Europa League.

“Granit Xhaka e mbulon pozitën e tij në fushë si një veteran. Ai është i qetë me topin dhe ka nuhatje të mirë për ritmin e lojës. Xhaka është impresionues. Ai ka luajtur 420 minuta. Graniti ka një të ardhme të ndritshme përpara, nëse vazhdon me këtë ritëm”, shkruan kjo ueb faqe e cila nuk ndalet me kaq.

“Kampioni i botës me U17 të Zvicrës është mjaftueshëm i fuqishëm dhe ka një goditje të fortë. Goli i tij i jashtëzakonshëm në kualifikimet për Ligën e Kampionëve kundër Debrecen është i paharrueshëm”, vazhdon shkrimi.

Granit Xhaka së bashku me vëllanë e tij, Taulantin, ishin inkuadruar në ekipin e parë të Baselit vitin e kaluar nga ekipi i të rinjve. Në sezonin e tyre të parë, futbollistët në fjalë kanë pasur paraqitje të rralla, sidomos Taulanti.

Mirëpo, këtë sezon gjërat po shkojnë ndryshe. Graniti është bërë i pazëvendësueshëm në ndeshjet e fundit, duke e bindur shtabin teknik të Baselit me cilësitë që i posedon. Përpos Granit Xhakës, pjesë e rëndësishme e Baselit janë edhe Xherdan Shaqiri e Beg Ferati.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›