Bami, edhe kandidate për deputete për PD-në
Drejtoresha e degës rajonale të Tatim-Taksave në Fier, Nevila Bami, është bërë objekt hetimi dhe gjykimi për shpërdorim detyre. Sot asaj i është komunikuar edhe masa e sigurisë e dhënë prej Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Tiranë. Më parë, ajo ka qenë drejtoreshë në degën e Tatimeve në Lushnjë. 34-vjeçarja Bami që pas diplomimit në Universitetin e Tiranës, në degën Financë, ka ushtruar profesionin si inspektore pranë degës së Tatimeve Lushnjë, ku dhe ka arritur postin e drejtoreshës në këtë institucion. Ajo mësohet se ka punuar si ekonomiste edhe në sektorin privat. Nevila Bami jeton në lagjen "Xhevdet Nepravishta" të qytetit të Lushnjës. Burimet nga qyteti myzeqar tregojnë se Bami jeton në një vilë private disakatëshe dhe tepër luksoze, të cilën e ka ndërtuar vitet e fundit, pasi edhe i shoqi merret me biznes të madh. Ajo është anëtare e kryesisë së degës së PD-së së Lushnjës, si dhe mban postin e sekretares së marrëdhënieve me publikun në degën lokale të PD-së. Gjithashtu, ajo mbante vendin e 16 në listën e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 28 qershorit. Si drejtoreshë në degën e Tatimeve të Fierit, Nevila Bami, u emërua vetëm 1 muaj më parë, pas zëvendësimit që i bëri Dervish Beqirit. Bami ka ardhur në postin e drejtoreshës së degës rajonale Fier pas të njëjtit post që ka mbajtur për afro 2 vjet në degën e Tatimeve Lushnjë. Kujtojmë se dy vjet më parë në këtë degë tatimore u arrestua drejtori dhe katër inspektorë të tjerë pikërisht për shpërdorim detyre.
M. Troka
M. Troka