E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krizat, i sëmuri mendor kërcënon doktorin e tij

Jo gjithmonë mjekët e spitalit nr. 5, ku shtrohen personat me probleme mendore, mund t‘i dalin zot vetes. Ndonjëherë, ata kërkojnë edhe ndihmën e policisë për të normalizuar gjendjen. Kështu ka ndodhur edhe dy ditë më parë, kur një i sëmurë mendor, i shtruar në spitalin nr. 5, në Tiranë, ka kërcënuar me jetë një doktor. Ka qenë mjeku, i cili i ka telefonuar pasditen e së hënës në sallën operative të policisë se pacienti i tij po e kërcënonte dhe që nuk mund të ndërhynte për ta qetësuar. Burime nga policia thanë se pacienti i sëmurë mendor ndodhej nën efektin e krizave nervore dhe ka ndjekur dhe kërcënuar në ambientet e spitalit nr. 5, mjekun. Pas tentativave të dështuara për të qetësuar të sëmurin, doktori ka kërkuar ndihmën e policisë. Forcat e policisë mbërritën menjëherë në ambientet e spitalit, ku mbahen të sëmurët mendor për të neutralizuar veprimet e pacientit. Por pas mbërritjes së forcave të policisë, i sëmuri ishte qetësuar dhe situata ka kaluar pa probleme. Në këto kushte, policia ka kontaktuar me mjekun që kishte telefonuar, i cili ka dhënë vetëm një deklaratë dhe nuk ka denoncuar për më tej. Ai ka shpjeguar se më pas kishin ndërhyrë mjekët e tjerë dhe i kishin dhënë qetësues të sëmurit, i cili herë pas here shfaqte kriza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›