E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjenda Thuram, vizitë në Kosovë

Lilian Thuram ka ardhur për një vizitë dyditore në Kosovë, për të diskutuar kundër diskriminimit dhe racizmit. Ish-kampioni i botës dhe Europës me Francën mendon se mospranimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA është çështje politike. Ai ka shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar futbollin kosovar në rrugën drejtë ndërkombëtarizmit.
Legjenda e futbollit francez, Lilian Thuram, të martën ka ardhur për një vizitë dyditore në Kosovë. Arsyeja e vizitës së ish-reprezentuesit të Francës është diskutimi rreth luftës kundër racizmit dhe tejkalimi i armiqësisë dhe diskriminimit mes komuniteteve etnike.
Me iniciativën e Këshillit të Europës, ish-futbollisti i Parmës, Juventusit dhe Barcelonës, të martën ka qëndruar në Prishtinë, ndërsa të mërkurën do të vizitojë Mitrovicën, ku së bashku me "Sportin pa kufi" do të zhvillojë një diskutim me liderë të rinj vullnetarë kundër racizmit, ksenofobisë dhe diskriminimit, ku nëpërmjet futbollit do të bashkohen të rinjtë kosovarë nga komunitete të ndryshme.
Thuram është shprehur të jetë i kënaqur me vizitën e tij në Kosovë, e posaçërisht me kontributin e tij, të cilin po e jep në luftën kundër diskriminimit.
"Kam nderin të jem këtu për një çështje shumë të rëndësishme, për luftën kundër diskriminimit. Shpeshherë diskriminimet iniciojnë konflikte të ndryshme, si për shembull luftëra etj. Ne duhet që tani t‘i edukojmë fëmijët tanë, që ata të ecin përpara dhe ta lënë mbrapa vëmendjen e diskriminimit. Nëse tani nuk merren këta hapa, atëherë do të shkojnë edhe 50 apo 100 vjet nën përcjelljen e diskriminimit", deklaroi Thuram në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, në të cilën prezent ishte ministri i Sportit, Valton Beqiri, dhe kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri.
"Mendoj se edhe futbollistët e tjerë edhe personazhe të tjera të njohura duhet që nëpërmjet mediave të japin kontribut në luftën kundër diskriminimit", shtoi Thuram, i cili pranoi se edhe vetë si futbollist ka rënë viktimë e fyerjeve raciste.
Fyerjet raciste po dëgjohen shumë nëpër stadiumet e gjithë globit, një dukuri që po mundohet ta luftojë mjaft edhe FIFA e UEFA. Por, asnjëra nga këto asociacione ende nuk e ka marrë një vendim definitiv se si të veprohet në raste të tilla. Por, Thuram nga Prishtina dha një propozim të tij.
"Unë mendoj se kur tifozët e fyejnë në mënyrë raciste një lojtar, atëherë ekipi i atyre tifozëve duhet të dënohet me heqje të pikëve. Kjo ndoshta është mënyra më e mirë dhe besoj se do të arriheshin rezultate pozitive", shtoi ai.
Në anën tjetër, Thuram ka folur edhe për futbollin e Kosovës. I pyetur se a po diskriminohet futbolli kosovar, pasi ende nuk është pranuar në FIFA e UEFA, përkundër përpjekjeve, francezi është përgjigjur: "Është vështirë të them se a është ky diskriminim. Natyrisht se duhet të shikohet arsyeja e mospranimit. Por mendoj se ka probleme politike. Kosova duhet të bëjë çmos deri në pranimin e saj".
Ai e ka shprehur gatishmërinë e tij për ta ndihmuar inkuadrimin e FFK-së në FIFA e UEFA nëse i jepet rasti. "Nuk e di se si do të mund ta ndihmoja. Unë do të takohem me zyrtarët e FFK-së dhe do t‘i shqyrtojmë mundësitë. Nëse ekziston ndonjë mundësi për ta ndihmuar, atëherë pse mos ta ndihmoj", është shprehur ai.
Kjo ngjarje është pjesë e projektit "Sport4Youth", i përkrahur nga Këshilli i Europës.
Vokrri kërkon ndihmë nga Thuram
Gjatë vizitës së Lilian Thuramit në Prishtinë, me të janë takuar edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri dhe sekretari i saj, Eroll Salihu.
Në këtë takim, udhëheqësit e futbollit kosovar e kanë njoftuar yllin francez për zhvillimin, problemet dhe synimet e futbollit të Kosovës, tani pas pavarësimit të Kosovës, duke i kërkuar francezit që të përdorë ndikimin dhe miqësinë e tij aty ku ai mundet, për ta ndihmuar FFK-në për t‘u bërë pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s.
Në një komunikatë për media të lëshuar nga FFK-ja, thuhet se Lilian Thuram është mahnitur me përkushtimin e madh të kosovarëve për t‘u bërë pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s.
"Thuram u premtoi krerëve të futbollit të Kosovës, se tashmë pasi ka marrë informacione të duhura, do të ketë dëshmi të mira që para miqve të tij dhe komunitetit të futbollit të parashtrojë edhe kërkesa që futbolli i Kosovës të bëhet pjesë e Europës dhe e botës", thuhet në këtë njoftim, ku theksohet se të dyja palët janë zotuar se tash e tutje do të kenë edhe komunikime të formave të ndryshme për të qenë vazhdimisht në kontakte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›