E Shtunë, 31 Tetor 2026

Planet për kërkimin e të zhdukurve

Zyrtarë të EULEX-it në Prishtinë paralajmëruan se në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojnë kërkimet për varreza të mundshme masive në Kosovë.
Shefi i komponentës së drejtësisë, Alberto Perduca, tha se gërmimet për gjetjen e mundshme të vendvarrimeve të reja tani për tani janë të pamundura, për shkak të përkeqësimit të motit.
"Stafi ynë po punon në këtë drejtim dhe ne planifikojmë që në fillim të vitit të ardhshëm, kur moti të na lejojë, të fillojmë operacionet në terren për varreza të mundshme masive", deklaroi zoti Perduca.
Qëndrimi i EULEX-it
Shefi i komponentës së drejtësisë, Alberto Perduca, theksoi se zbardhja e fatit të të zhdukurve është përparësi e punës së EULEX-it. Sipas tij, është jetike që të vazhdohet me identifikimin e më shumë vendvarrimeve të mundshme, me zhvarrimin e kufomave dhe identifikimin e tyre.
"Ne, gjithashtu, jemi të vetëdijshëm për nevojën e përmirësimit të bashkëpunimit në nivel rajonal e sidomos me autoritetet e Serbisë. Ne po punojmë që të përmirësojmë bashkëpunimin në bazë të mirëbesimit të përbashkët", tha shefi i sektorit të drejtësisë në EULEX, Alberto Perduca.
Ai po fliste pas takimit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, i cili u mblodh për t‘i dhënë një shtytje përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Komisioni, në përbërje të të cilit janë zyrtarë të lartë të qeverisë, EULEX-it dhe të organizatave të ndryshme joqeveritare, ka vlerësuar se vështirësitë në këtë proces mbesin të shumta. Kjo, për shkak të mungesës së informacioneve për vendndodhjen e personave që mungojnë.
Qëndrimi i Prishtinës
Zv.kryeministri Ramë Manaj ka shprehur shqetësimin e qeverisë për mungesën e rezultateve në këtë proces. Ai theksoi problemet me të cilat po përballen autoritetet edhe në identifikimin e 400 mbetjeve mortore, që ndodhen në morgun e Prishtinës.
"Ne kemi mbi 400 mbetje mortore tash e sa vjet në morgun e Prishtinës, përkundër analizave të ADN-së, përkundër përsëritjes së këtyre analizave, nuk përputhen me mostrat e eshtrave dhe duhet një përgjigje e ekspertëve si mund të bëhet identifikimi i këtyre mbetjeve".
"Ka pasur me kohë supozime se mund të ketë varrime të gabueshme, sepse opinioni tashmë e di që deri në vitin 2002 kanë ndodhur mbi dy mijë varrime pa ADN", ka deklaruar zv.kryeministri Manaj.
Ai bëri të ditur se brenda një periudhe dyjavore, qeveria dhe EULEX-i do të përgatisin një plan veprimi, që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë për mbledhjen e informacioneve që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
"Duhen shtuar përpjekjet, në veçanti të EULEX-it, për të marrë informacione nga Beogradi për vendvarrime të reja", deklaroi zëvendësshefi i qeverisë së Kosovës, Ramë Manaj.
Përpjekjet e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare për përshpejtimin e procesit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur pasojnë një grevë 16 ditëshe të disa nënave gjakovare, fëmijët e të cilave janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë luftës.
Grupi i grave nga Gjakova ndërpreu grevën para afro një muaji, pas premtimeve të udhëheqësve kosovarë për shtimin e angazhimit institucional për gjetjen dhe identifikimin e personave që mungojnë.
Njëra nga organizatoret e kësaj greve, Nysrete Kumnova, thotë se familjarët e të zhdukurve po presin të shohin nëse do të ketë përshpejtim të këtij procesi, siç u është premtuar.
Çështja e personave të zhdukur në Kosovë është një nga trashëgimitë më të hidhura të luftës së dhjetë viteve më parë.
Takime Prishtinë-Beograd
Me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit kanë zhvilluar një seri takimesh, por rezultatet kanë qenë të pakta, për shkak të politizimit të këtij procesi.
Autoritetet ndërkombëtare, ndërkaq, u kanë bërë thirrje të dyja palëve që ta trajtojnë këtë si një çështje humanitare.
Nga rreth 2000 persona sa aktualisht janë të zhdukur, rreth 500 besohet të jenë serbë apo pjesëtarë të pakicave të tjera, ndërsa shumica janë shqiptarë.

m.s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›