E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendum, 50 mijë firma për kontrollin e legjitimitetit të Parlamentit Shqiptar

Neni 150 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton: "Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si edhe t‘i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë".
A është çështje e veçantë kërkesa e Partisë Socialiste, mbështetur në 50 mijë shtetas me të drejtë vote, për kontrollin e legjitimitetit të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë?
Partia Socialiste, si edhe parti të tjera të bashkuara rreth saj, për kontrollin e ligjshmërisë së Parlamentit, i jep përgjigje pozitive kësaj pyetjeje. Aq e rëndësishme konsiderohet kjo çështje nga Partia Socialiste, saqë ajo, me gjithë zërat kundërshtues brenda saj dhe këshillave herë-herë publike nga ana e të huajve, është bërë nxitëse për bojkotimin e Parlamentit prej deputetëve të dalë nga zgjedhjet e fundit.
Ndërsa partitë, të rezultuara fituese nga zgjedhjet e fundit, kontrollin e ligjshmërisë së Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e fundit, e quajnë çështje të paqenë duke përdorur madje fjalën latine absurd. Ata e lidhin bojkotin e Partisë Socialiste, përgjithësisht me probleme të brendshme të kundërshtarëve të tyre politikë dhe veçanërisht me probleme të udhëheqjes së saj. Ata i ftojnë kundërshtarët e tyre të marrin pjesë në Parlament dhe shtrimin e çështjes në atë institucion qeverisës.
Me pak fjalë raporti mes palëve qëndron kështu:
PD: Hajdeni në Parlament!
PS: Ne vijmë në Parlament, nëse pranoni kontrollin e ligjshmërisë të atij Parlamenti me komision të posaçëm parlamentar.
PD: Hajdeni dhe bëjeni këtë propozim në Parlament, megjithëse për ne kjo çështje nuk ekziston pas shpalljes së vendimit gjyqësor në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve.
PS: Nuk mund të vijmë në atë Parlament pa kontrolluar më parë ligjshmërinë e tij. Ne do të kërkojmë kontrollin e ligjshmërisë së Parlamentit, nëpërmjet mbështetjes popullore.
Këtë raport, mes forcave qeverisëse shqiptare, e ka marrë masmedia dhe e përcjell në popull. Forma dhe përmbajtja e përcjelljes duket sheshit se nuk është e pavarur. Ajo lidhet si me preferencat politike të botuesve, ashtu edhe me angazhimin e tyre politik dhe ekonomik. Nga kjo, masmedia shqiptare mban sot famën jo e lirë. Në shtypin dhe televizionet shqiptare, objekti i kërkesës për kontrollin e legjitimitetit të Parlamentit Shqiptar dhe kundërshtimin e tij, zor e gjen të shprehur thjesht e qartë. Ai është i mbuluar me një mullar me artifica gjithfarëshe opinioniste.
Nga mbledhja e 50 mijë firmave, me sa duket, PS do të kërkojë referendum, për kontrollin e legjitimitetit të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë.
Në Kushtetutën e shumë vendeve demokratike të Europës, kontrolli i ligjshmërisë së institucioneve publike nga ana e popullit, është një nga parimet bazë të qëndrueshmërisë qeverisëse demokratike. Në Kushtetuta, si ajo e Republikës së Italisë, ky parim është i shprehur qartë me nen të veçantë. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë nuk kemi një nen të veçantë për kontrollin direkt nga populli të ligjshmërisë të institucioneve publike, ashtu si në Kushtetutë kemi ndarje të veçantë për kontrollin ekonomik e financiar nëpërmjet Kontrollit të Shtetit.
Gjithsesi, rruga politike që do të marrë së afërmi çështja e kontrollit popullor të legjimitetit të Parlamentit Shqiptar, do të na bëj të kuptojmë nëse rrojmë në demokraci apo vazhdojmë të jetojmë në diktaturë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›