Fjalimi i Hoxhës në “Times”: “Si dështuan dy misionet anti-Shqipëri të Hrushovit”
Gazeta amerikane publikon fjalimin denoncues të Enverit kundër Bashkimit Sovjetik. Ndëshkim me ndërprerje të kredive, tërheqje të ekspertëve dhe heqjen e bursave
Harry Schwartz
Drejtuesit më të lartë komunistë të Shqipërisë akuzojnë se kryetari i Partisë së Bashkimit Sovjetik denoncoi Shqipërinë në Moskë gjatë muajit të kaluar sepse udhëheqësi rus kishte dështuar dy herë në qëllimin e tij gjatë vitit 1960 që të imponojë pikëpamjet e tij në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Akuza ishte bërë nga gjenerali i Ushtrisë, Enver Hoxha, njëkohësisht Sekretari i Parë i Partisë së Punës (Komuniste) në një fjalim të mbajtur në fillimin e këtij muaji në Tiranë. Një përmbledhje zyrtare e fjalimit tashmë është bërë publik. Gjeneral Hoxha tha se Hrushovi dështoi që ta çojë (çështjen shqiptare, - shën red.) në takimet e Internacionales Komuniste në Bukuresht, në takimin e mbajtur në qershor 1960 dhe në Moskë në nëntorin e po atij viti. Fjalimi i gjeneral Hoxhës nxirrte në pah se shqiptarët janë besnikë dhe se kanë shumë mbështetës në të gjitha partitë komuniste të botës. Udhëheqësi shqiptar tha se 34 parti komuniste nga 81 të tilla që u përfaqësuan në Kongresin e 22-të të Partisë së Bashkimi Sovjetik, nuk u pajtuan me sulmin e Hrushovit ndaj Shqipërisë. Ai tha se nga udhëheqësit sovjetikë që morën pjesë në Kongres, vetëm 80 nga 88 veta dolën hapur kundër Shqipërisë.
Presioni rus
Gjeneral Hoxha e paraqiti këtë situatë si skemë taktike të presionit. Ai tha se Bashkimi Sovjetik është duke u përpjekur që t’u imponojë shqiptarëve kërkesat e tij: "Në sferën ekonomike, të gjitha kreditë e dhëna nga Bashkimi i Republikave Sovjetik për vendin tonë për planin 5-vjeçar janë ndërprerë me qëllimin e vetëm, sabotimin e planit ekonomik të vendit tonë. Pa asnjë arsye, të gjithë specialistët rusë që po punojnë në Shqipëri, të cilët plotësonin nevojat tona ekonomike, janë larguar në një mënyrë të njëanshme, megjithëse ne u kishim kërkuar atyre zyrtarisht që të qëndronin. "Për shkak të kërkesave për pagimin e kredive të vjetra ne nisëm që këtë vit, megjithëse sipas dokumenteve ekzistuese, ato duhej të fillonim pas vitit 1970. Pala sovjetike ka ndërprerë përfundimit marrëdhëniet tregtare”.
Tërheqja e studentëve ”Të gjithë studentëve shqiptarë, civilë dhe ushtarakë që studionin në Bashkimin e Republikave Sovjetike, u ishin hequr të drejtat e studimeve të tyre dhe më tej, presioni ekonomik ishte shoqëruar me masa të rrepta në sferën ushtarake. Enver Hoxha akuzoi Kryetarin e Partisë Komuniste Sovjetike Nikita Hrushov, se ofroi azil politik në vitin 1957 për Panajot Plakun, të cilin ai e kishte shpallur tradhtar të vendit dhe një agjent spiunazhi jugosllav për një kohë të gjatë”.
Gjeneral Hoxha nuk kurseu në denoncimin e tij as A. Suslov, Sekretarin e Parë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ai tha se në muajt prill dhe maj të vitit 1956, zoti Suslov u përpoq të bindë shqiptarët për të rehabilituar figurën e Koçi Xoxes, një ish-udhëheqës shqiptar, i ekzekutuar rreth 10 vjet më parë për preferencat e tij pro-titiste. “Vetëm një asamble ndërkombëtare e partive komuniste është kompetente të gjykojë në tërësi nëse komunistët shqiptarë e kanë drejt ose gabim”, - tha gjeneral Hoxha. “Por Zoti Hrushov ka frikë të thërrasë një asamble të tillë, - tha ai, - sepse ai ishte i bindur se nuk do të arrijë qëllimin e tij që të ndëshkojë Partinë tonë të Punës (Komuniste)”.
Arsyeja e takimeve Që ta mbështesë këtë, udhëheqësi komunist shqiptar jep këtë përmbledhje që u paraqit në takimet e partive komuniste internacionale në Moskë dhe Bukuresht: “Mënyra e përdorur nga Sekretari i Parë i Partisë Komuniste Sovjetike që të sulmojë partinë tonë në mënyrë të njëanshme, është e njohur nga lëvizjet punëtore dhe komuniste në rang ndërkombëtar. Kjo metodë është përdorur njësoj edhe në Bukuresht, ku përmes akuzave të njëanshme dhe të gabuara ai u përpoq të përulë partitë marksiste-komuniste dhe përmes një prononcimi të shpejtë, të mirëstudiuar, kërkoi kompromisin e përfaqësuesve të partive simotra. Por, pavarësisht nga kjo, me gjithë përpjekjet e tij, ai nuk i arriti qëllimet.
“Përkundrazi, zoti Hrushov ishte detyruar të pranojë rezultatet e takimit të Moskës të vitit 1960, tek të cilat korrigjohen diskutimet që kishin synim t’i transferonin ato (tek lëvizja komuniste ndërkombëtare) dhe në mënyrë të qartë, nxori publikisht se pikëpamjet e tij nuk gjenin mbështetjen entuziaste në radhët e pjesëmarrësve”.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 19 nëntor 1961
Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Enver Hoxha says that party resisted Russian”
Përgatiti: Albert Gjoka
Në numrin e së shtunës do të lexoni:
Mbyllen Ambasadat e Rusisë dhe Shqipërisë në Moskë dhe Tiranë
Tensionohen marrëdhëniet mes dy vendeve komuniste. Urdhërohet mbyllja e përfaqësive diplomatike
Flasin përfaqësues të misionit tonë në Rusi. Kryeministri Mehmet Shehu vazhdon denoncimet ndaj Hrushovit
Kina del në mbështetje të pushtetit të Enver Hoxhës dhe akuzon Rusinë për skenarë me Jugosllavinë
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
14 Mars 2008