E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bamir Topi braktis gjyqtarët e Kolegjit për zëdhënësat e Edi Ramës që mbrojnë piramidën e Enverit

20-07-2011 / Nga Artur Bego

Presidenti bojkoton mbledhjen e KLD-së, duke u rreshtuar me gojëlëshuarit që sulmojnë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, megjithatë gjeti kohë të solidarizohej me zëdhënësat e Edi Ramës, Ardian Klosi e Artan Shkreli, që kërkojnë mbrojtjen e mauzoleumit të diktatorit, edhe në 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit

Dje u mësua se Presidenti i Republikës Bamir Topi, më në fund kishte marrë dijeni (dhe me sa duket), edhe ishte njohur me një letër të mbërritur në adresë të tij, bashkë me kërkesën për shqyrtim nga KLD-ja.
Nga ana e saj KLD-ja e shqyrtoi atë letër...
Por Presidenti mungoi dhe nuk mori pjesë në këtë mbledhje. Kishte një arsye madhore që Bamir Topi mungoi.
Kjo pamundësi, lidhej me pamundësinë e kohës fizike, të cilën Bamir Topi e kishte të zënë me pritjen në një takim (në të njëjtën kohë që zhvillohej mbledhja e KLD-së) të “anti-prishësve” të Piramidës, të kryesuar nga Ardian Klosi e Artan Shkreli, zëdhënësat jozyrtarë të Edi Ramës për të mbrojtur mauzoleumin e diktatorit Hoxha... Ndërsa akuzat e Gramoz Ruçit të bëra publikisht para kamerave televizive, për shpërblimin me nga 500 mijë euro, të secilit gjyqtar të Kolegjit Zgjedhor, për çdo vendimmarrje për bashkinë e Tiranës, dhe kërkesa për mbrojtje e mbështetje e tetë anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, duket për Presidentin Bamir Topi ishin “çështje tërësisht teknike”...
Gjithsesi, në përfundim të shqyrtimit, nga reagimi i zëvendëskryetarit të KLD-së dhe më pas edhe nga konfirmimi që kryetarit i KLD-së (Presidenti) i bëri qëndrimit të zëvendësit të tij, gjërat u ngatërruan edhe më shumë… Kjo ngatërresë, të krijonte përshtypjen (për të mos thënë bindjen), se te Presidenti Bamir Topi dhe te KLD-ja, kishin kërkuar ndihmë, jo anëtarët e trupës së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, por Gramoz Ruçi i PS-së…
Ngatërresa bëhet edhe më e ngatërruar, kur dje nuk u kuptua, pse pas “zbulimit” të zëvendëskryetarit Kreshnik Spahiut dje në mbledhjen e KLD-së, “se po futet politikë brenda KLD-së”, doli edhe kryetari i tij Bamir Topi, për të konfirmuar të njëjtën gjë…
Mos vallë Bamir Topi “u tremb” nga protagonizmi i Kreshnik Spahiut, i cili “zbuloi” i pari “futjen e politikës në KLD”, “zbulim” që me sa duket, dy “kokat” e KLD-së, kishin rënë dakord se duhet ta bënte, Bamir Topi…?!

Kur flet Kreshnik Spahiu...
Ndryshe nga çfarë pritej, mbledhja e djeshme e KLD-së u drejtua nga zëvendësi Kreshnik Spahiu. Kryetari i KLD-së Bamir Topi, megjithëse kishte “paralajmëruar” se “sa të njihej me letrën e Kolegjit Zgjedhor që nuk i kishte mbërritur ende, ‘do të bënte namin’”, i njohu vetes të drejtën që kompetencat e tij, tia delegonte Kreshnik Spahiut.
Në përmbushej të këtyre kompetencave, Kreshnik Spahiu lëshoi çudinë e tij dje, kur deklaroi se, “KLD nuk ka kompetencë për procedimin e gjyqtarëve, dhe i bën apel opozitës nëse ka prova konkrete ti dërgojë në prokurori”.
E artikuluar nga Kreshnik Spahiu dhe e riprodhuar në ligjëratë të drejtë, kjo frazë të vë në mendime e në dyshime, se në mbledhjen e saj të djeshme, KLD-ka kishte injoruar dhe shpërfillur, jo letrën e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, por, një ankesë të mundshme të PS-së, e cila është bërë publike nëpërmjet Gramoz Ruçit.
Reagimi cinik i Kreshnik Spahiut në mbledhjen e KLD-së, “shpërtheu”  në përfundim të mbledhjes.
I pakënaqur nga vetja, pse “lejoi” anëtarët e KLD-së “ta kryqëzonin” në mbledhje, por edhe i “vënë në pozitë” (ndoshta) nga Presidenti pse ai (Kreshniku) nuk kishte qenë në gjendje të justifikonte mungesën e Kryetarit (i cili sikurse u mësua më vonë, ishte i zënë duke pritur anti-prishësit e Priamidës), doli në mënyrë abuzive para gazetarëve, për të bërë të ditur edhe shkakun e sjelljes së tij cinike në mbledhje.
“Zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë nuk administrohen nga gjykatat por nga institucionet politike siç është edhe KQZ. Ky institucion nuk është më juridik por tërësisht politik. Për tetë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor ka dhënë pëlqimin edhe PD edhe PS ndërsa KLD i është hequr çdo kompetencë për të kontrolluar vlerësuar hequr, apo transferuar këta gjyqtarë”, vijoi deklarimin e tij cinik Kreshnik Spahiu, mbushur me zemërim.
Përpos se cinik, ky deklarim i Kreshnik Spahiut, tingëllon edhe anormal.
Vetë ai, si anëtar KLD-je, është një nga tre anëtarët që është zgjedhur e votuar nga Kuvendi (supozuar me pëlqimin e PD dhe PS-së). E pra, një i zgjedhur me pëlqimin e Kuvendit, xhelozohet për tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, megjithëse edhe ata (kanë ndarë të njëjtin fat) janë përzgjedhur (sikurse edhe ai) me pëlqimin e Kuvendit.
E analizuar “në rrjedhë të kundërt”, kjo sjellje e kreshnik Spahiut, duket edhe paradoksale... Sepse..., sepse..., në qoftë se për tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, për zgjedhjen e të cilëve “KLD-së i është hequr çdo kompetencë”, nuk mban përgjegjësi askush, po për Kreshnik Spahiun kush mban përgjegjësi, apo “kompetencë e kujt është”, përgjegjësia e mundshme ndaj tij...?

... dhe konfirmon Bamir Topi
Megjithëse me merakun më të madh (në dukje), për të amortizuar sa do pak protagonizmin e zëvendësit të tij, Presidenti Bamir Topi, gjithsesi, me daljen edhe të atij vetë publikisht (me zë, por pa figurë), thelloi edhe më shumë “ndasinë” e tetë gjyqtarëve, duke mos i konsideruar ata si tetë gjyqtarë të Apelit, por si tetë anëtarë të Kolegjit Zgjedhor.
Kësaj ndarje, Presidenti ishte kujdesur ti vishte që në fillim të artikulimit të saj, “kujdesin” që KLD-ja kishte humbur kohë që kishte “marrë përsipër zgjidhjen e pretendimeve të tyre (tetë gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor)”.
Për Presidentin Bamir Topi, akuza  (me zë dhe figurë) e Gramoz Ruçit, për shpërblimin me nga 500 mijë euro, për secilin gjyqtarë të këtij kolegji, për çdo çështje për Tiranën, me sa duket është “pretendim”.
Nuk dihet, çfarë duhet të deklaronte tjetër, apo ndryshe Gramoz Ruçi, që Bamir Topi të mos e quante “pretendim”...?!
Por, duket, punën  e “pretendimit”, Presidenti ishte kujdesur që ta tejkalonte shpejt e shpejtë që në paragrafin e parë të deklaratës së tij.
Sepse..., sepse..., qëllimi tjetër i daljes së tij dje, ishte që të na mbushte mendjen se janë të tjerë “tetë gjyqtarë të Apelit” dhe të tjerë “tetë gjyqtarë të Kolegjit Zgjedhor”... Dhe se në bazë të kësaj “ndasie”, Kryetari i KLD-së, Bamir Topi, nuk e shihte si detyrim që të kalonte, të paktën nëpër mend,  Ligjin Nr. 8811, datë 17. 05. 2001 (Ndryshuar me ligjin nr. 9448, datë 05. 12. 2005), “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, neni 1 i të cilit thotë midis të tjerave se, “Këshilli i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për mbrojtjen, ..., e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit”.
Për Bamir Topin, me sa duket, megjithëse tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, para se të jenë të tillë, janë gjyqtarë të Apelit dhe si të tillë meritojnë “mbrojtje”, që pas shtimit “Kolegj Zgjedhor” në “statusin” e tyre, nuk meritojnë më mbrojtje, por..., s’ka gjë, le t’ju hidhen hienave politike.
Në deklaratën e tij të djeshme, ndërsa Bamir Topi, bënte kujdes të ndante tetë gjyqtarë të Apelit, nga tetë anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, vet, ngatërrohej dhe nuk mund ta ndante pozicionin e tij, të Presidentit të Republikës, nga ai i Kryetarit të KLD-së. Për atë (dhe jo vetëm) natyrshëm, Presidenti dhe Kryetari i KLD-së, janë e njëjta gjë. Por, ajo që nuk kuptohet, është, se ku ndryshon një anëtar i Kolegjit Zgjedhor, nga një gjyqtar i Apelit...?!
Mes frazave të tipit “përjashtimi nga e drejta e përfaqësimit në procesin e administrimit”, Bamir Topi, tentonte dje ti largohej sa të mundej, përgjegjësie për marrjen në mbrojtje, të tetë gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Për këtë mjaftohej duke na kujtuar të gjithëve, se, “Kodi Zgjedhor u ka njohur imunitet të veçantë anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, duke i përjashtuar ata nga çdo kompetencë funksionale e KLD-së”.
Tentativa vetëpërjashtuese nga përgjegjësia e Bamir Topit, zhvleftësohet kur, po i njëjti Kodi Zgjedhor, në pikën 1, të Nenit 146 të tij, në bënë me dije se, “Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit, Tiranë, përbëhet nga tetë gjyqtarë të përzgjedhur me short nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë”.
Më tej, në pikën 4, neni 146 i Kodit Zgjedhor, na bënë me dije gjithashtu se, “Brenda 24 orëve nga përzgjedhja e tyre me short, të tetë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë bëjnë betimin në një ceremoni publike, në prani të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe nën drejtimin e Presidentit të Republikës...”.
Duket me këtë përzgjedhjen nga ky short dhe me betimin e bërë para Presidentit Bamir Topi, tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, kanë “zgjedhur” dhe janë “betuar”, se do ta lënë veten nën akuzat e Gramoz Ruçit, sepse Presidenti “i ka bërë dalje”, që kur atyre ju ra “për aftin e keq” shorti, të jenë edhe anëtarë të Kolegjit Zgjedhor...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›