“Bamir Topi s’po ushtron siç duhet detyrën, bojkotoi mbledhjen që vetë e thërriti”

Anëtarët e KLD-së, kritika kryetarit. Kreu i shtetit refuzoi të ulej në panelin e gjyqtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku do të diskutohej rreth akuzave politike të PS-së ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor të Apelit
Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, edhe pse ishte lajmëruar nga titullari i këtij institucioni, Presidenti i Republikës Bamir Topi, ky i fundit refuzoi të merrte pjesë. Kreu i shtetit s’pranoi të ulej në panelin e gjyqtarëve të KLD-së, të cilët do diskutonin rreth akuzave politike të Partisë Socialiste ndaj 8 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor të Apelit. Mos prania e presidentit të Republikës, autoritetit më të lartë të KLD-së, kompetencë që ia jep Kushtetuta, është interpretuar në rrugë të ndryshme nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, aq sa nënkryetari i këtij institucioni, Kreshnik Spahiu, s’ka pranuar tw komentojw mungesën e eprorit tw tij, ndërsa ka bwrw tw qartw se KLD s’pajtohet me llumin e akuzave tw opozitës. Anëtarja e KLD-së, Lefteri Lleshi, replikoi për mungesën e Presidentit të Republikës njëherësh Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në këtë mbledhje.
Duke iu referuar njoftimit zyrtar për mosprezencën e Presidentit Topi, anëtarja e KLD-së, Lleshi, kritikoi Kreun e Shtetit se nuk po ushtron si duhet detyrën e tij, dhe këtë ajo e argumentoi me mungesën e zotit Topi në mbledhjen e thirrur prej tij.
Ndërkohë pas replikave me nënkryetarin e KLD-së Kreshnik Spahiu, zonja Lleshi i kërkoi këtij të fundit të rishikojë pozicionin e tij, pasi sipas saj, nënkryetari Spahiu po bën deklarata politike. Zëvendësministrja e Drejtësisë Brikena Kasmi ka bërë thirrje që KLD të mos bëjë deklarata politike. Kjo sipas Kasmit vjen nga fakti se nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu është përfshirë politikisht në deklaratat e Aleancës Kuq e Zi kundër ligjit për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk arriti të unifikonte një qëndrim standard për të dënuar akuzat dhe veprimet denigruese të Partisë Socialiste ndaj sistemit gjyqësor në vend. Spahiu s’qe në gjendje të përcillte mesazhin e institucionit të lartë të Drejtësisë në mënyrë që Partia Socialiste të ndalë valën e akuzave ndaj 8 gjyqtarëve, edhe pse në letrën që trupa gjyqësore i adreson kreut të shtetit dhe selive diplomatike në Tiranë, ka qenë pikërisht marrja e rolit mbrojtës nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjë që nuk u vërejt, madje përkundrazi KLD u distancua.