“BE-ja dha mesazh të qartë, zgjedhjet përfunduan, Shqipëria duhet të shohë para”

Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu zbulon qëndrimin e Brukselit për 3 kriteret politike të Kopenhagenit
Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, u shpreh dje se Këshilli ishte i qartë në deklaratën e tij, se bojkoti i parlamentit është një lëvizje e gabuar e Partisë Socialiste, pasi integrimi Evropian kërkon konsensusin e shumicës së parlamentit. Nga Brukseli, ministrja Bregu sqaroi se Bashkimi Evropian cilëson të mbyllur kapitullin e zgjedhjeve në Shqipëri, duke përcjellë mesazhe bashkëpunimi dhe dialogu institucional.
Ajo shprehu shqetësimin që deklarata e Këshillit spekulohet nga një pjesë e mediave të shkruara dhe televizive, duke vënë kështu në dukje anësimin e tyre.
“Një ndryshim i kursit të opozitës për të bashkëpunuar mbi reformat e vendit do të ishte shumë i vlerësuar”, thotë ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu
Cilat ishin pikat kryesore të cilat u diskutuan në këtë takim të tretë të Këshillit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE?
Në takimin e 3-të të Këshillit të Stabilizim Asociimit janë diskutuar të gjitha ato çështje të cilat janë pjesë e progresit, apo e zhvillimeve në të tre kriteret e Kopenhagenit. Sigurisht që për detyrimet kryesore që ka Shqipëria në kuadër të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mbi implementimin e 12 prioriteteve, në një mënyrë transparente sigurisht edhe nga pala jonë, por edhe në komentet e palës Evropiane, kanë qenë mbi të gjitha fushat. Atje ku është njohur progresi dhe ku ka nevojë për më shumë progres. Është vlerësuar në mënyrë të dukshme gjithë përfshirja në procesin e planit të vlerësimit të cilin Komisioni dhe Këshilli e vlerëson si dokumentin kryesore këtej e tutje, i cili do të vlerësohet, monitorohet dhe që do të japë një mundësi më shumë për një hap më përpara të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe, kryesisht nga të gjitha përfundimet e Këshillit të 3-të të Stabilizim Asociimit, mesazhet e përcjella janë se, zgjedhjet janë mbyllur, pavarësisht se pala Evropiane është shprehur e shqetësuar le të themi, për polarizimin e situatës zgjedhore, sepse askush nga ne s’mund të mohojë se Partia Socialiste nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve dhe më pas i gjithë procedimi i mëtejshëm i tyre, veçanërisht në deklaratat ndaj kolegjit Zgjedhor, me artikulime të rënda ndaj gjyqtarëve. Të gjitha këto çuan që situata të ishte më e polarizuar.
Përsa i takon gjetjes së zgjidhjes mes mazhorancës dhe opozitës, për futjen e kësaj të fundit në Parlament, cili ishte qëndrimi i Këshillit?
Qëndrimi ishte krejtësisht i saktë dhe i prerë. Që të ketë një dialog dhe një zhvillim dhe ecje përpara të vendit drejt axhendës Evropiane, përgjegjësia e opozitës për të vepruar në mënyrë konstruktive nuk do të thotë vetëm në mënyrë konstruktive duke deklaruar se jemi “pro” integrimit të vendit në Bashkimin Evropian apo në mënyrë konstruktive vetëm me pjesëmarrje të opozitës në komisionet parlamentare. U kërkua një kontribut real i opozitës; në votimin e ligjeve në seancë plenare; mos largim nga institucionet si dhe respekt i institucioneve. Por, dua të sqaroj një moment për faktin sepse mesazhet që vijnë nga Tirana janë për interpretime të prera, ose të shkurtra të një vlerësimi të bërë në raport me këshilli që ka të bëjë me zgjedhjet në Tiranë. Në fakt, në deklaratë thuhet që zgjedhjet në Tiranë, për faktin që na bindën edhe njëherë dhe që shkon jashtë çdo dyshimi se ka nevojë për një reformë elektorale dhe se ka nevojë që të reformohet kuadri ligjor elektoral, në këtë aspekt nuk ishin të mira. Por, askush nuk mund të thotë që, polarizimi i situatës në Tiranë, deklaratat paraprake të Partisë Socialiste, deklaratat kur Rama shpallte fitues veten, në momentin kur s’ishte mbyllur procesi zgjedhor në tërësi, edhe më pas ato që thash më lart në reagimet e tyre ndaj Kolegjit Zgjedhor të Apelit, sigurisht që kanë krijuar preokupim. Pra, do t’i lutesha, dhe këtë dua ta adresoj si prononcim të parë tani, që të mos fshihen fjalitë apo të mos interpretohen vendimet dhe deklaratat në mënyrë anësore. Nuk thuhet që zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira për të gjykuar fituesin, apo mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet në Tiranë. Përkundrazi, këshilli ka vlerësuar mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet në Tiranë, dhe nuk është pak. Nuk e kishte asnjë siguri më përpara. Madje kërkohej gjithmonë që zgjedhjet të ishin të qeta, që procesi të ishte i qetë si dhe që të kishte një pjesëmarrje të madhe votuesish. Fakti i problematikave dhe i diskutimeve, i zhurmës së madhe për Tiranën dhe për bashkinë e Tiranës, diskutimet të natyrës se, janë apo s’janë të vlefshme votat e hedhura në kutitë e gabuara, interpretimi nga krahu politik i opozitës, të gjitha këto bënë që situata në Tiranë të shihej si më e komplikuar. Por, askush nuk ka thënë që vendimet e Kolegjit, apo zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira, për të përcaktuar kështu që mënyra sesi u zhvilluan zgjedhjet, si u numëruan votat e panumëruara, të cilin askush nuk e kundërshton dhe nuk e ka kundërshtuar dhe fakti që sot, kryetari i bashkisë së Tiranës është zoti Lulzim Basha, ka krijuar shqetësimin për komunitetin ndërkombëtarë.
Komisioneri Fule tha që do i kërkojnë Komisionit të Venecias që të japë disa opinione dhe rekomandime për realizimin e reformës zgjedhore në mënyrë që parlamentaret e 2013-ës, të jenë zgjedhjet më të mira...?
I gjithë diskutimi i sotëm, në konferencën për shtyp dhe gjatë takimit me dyer të mbyllura, por edhe në takimin me format më të ngushtë, thelbi i takimit ishte: “zgjedhjet kanë përfunduar, Shqipëria duhet të shohë përpara”. Brukseli mirëpret ftesën që, ne i kemi bërë opozitës, pra ftesa e mazhorancës sikurse dhe gatishmëria që mazhoranca ka treguar orët e para, pas deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, për përfshirjen e Komisionit të Venecias. Ne kemi qenë në Bruksel atëherë, në punimet e komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, dhe në emër të Qeverisë, unë e kam përshëndetur ftesën për përfshirjen e Komisionit të Venecias. E njëjta gjë është edhe në thelb të letrës së zotit Patozi drejtuar zotit Ruçi. Përfshirja e Komisionit të Venecias për opinion dhe OSBE/ODIHR-it, për zgjedhjet e ardhshme në një mendim që komisioni i ardhshëm i reformës zgjedhore në Parlament, do t’ua kërkojë, është e domosdoshme tashmë edhe për faktin se në këtë proces elektoral të rëndësishëm për fatet e vendit, Partia Socialiste dhe lideri socialist, ka vënë elementë kryesore dhe si kryefjalë mos besimin. Për aq kohë sa ai është mosbesues ndaj një Kodi që e miraton vetë me konsensus, është mosbesues ndaj ndryshimeve që i propozon po veët, është mosbesues ndaj numëruesve të tij, është mosbesues ndaj një sistemi të cilit nesër kërkon ta drejtojë dhe të jetë kryeministër, atëherë mënyra më e mirë është që çdo rekomandim, çdo amendament të pranohet t’i pranohet opozitës dhe le të ketë vulën apo edhe opinionin e Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR-it, si organizmat mbi çdo palë sigurisht jo me anësim partiak për të dhënë mendime mbi amendimet. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të pranuar amendimet dhe jemi të gatshëm për të kontribuar për një reformë zgjedhore.
Komisioneri Fule, gjatë konferencës për shtyp u ndal në 3 momente, por përpara progres – raportit që do të bëhet publik në fillim të muajit tetor, cilat janë hapat që duhet të bëjë Shqipëria konkretisht?
Progres - raporti është një dokument që në pjesën më të madhe të tij, është draftuar, për faktin se ngjarjet që kanë ndodhur nga tetori i 2010-ës deri në korrik 2011-të, janë më të mëdha në periudhë kohore se ato që mund të ndodhin nga korriku deri në shtator. E rëndësishme është që në shtator të ri-instalohet dialogu politik brenda parlamentit. Kthimi i opozitës në parlament duke shpresuar që do të kthehen në parlament dhe do të qëndrojnë aty, është i vlerësuar dhe për të përforcuar mesazhin e Bashkimit Evropian se, Shqipëria duhet të shohë përpara dhe të shohësh përpara do të thotë që të mos bëhesh bllokues për fatet e vendit drejt integrimit Evropian. Për këtë arsye është thënë edhe në takim që, nuk vlerësohet dhe as nuk përkrahet asnjë iniciativë e cila e nxjerr opozitën, apo Partinë Socialiste jashtë institucioneve dhe e rikthen atë në rrugë, por do të vlerësohet një kontribut konstruktiv, jo vetëm pjesëmarrje, por një kontribut konstruktiv në axhendën Evropiane të vendit.