E Diel, 1 Nëntor 2026

“Do të punojmë për 12 rekomandimet - në tetor Shqipëria merr statusin e kandidatit”

20-07-2011 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto

Zëvendëskryeministrit dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto në konferencën për shtyp pas takimit të tretë të Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, deklaroi se palët politike të mazhorancës dhe opozitës, duhet t’i rikthehen dialogut në parlament, për të përmbushur detyrat e Brukselit. Duke informuar për takimin me dyer të mbyllura mes dy delegacioneve, Haxhinasto theksoi se qeveria ka arritur të implementojë kënaqshëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e cila u vlerësuar nga komisionari Fule dhe baronesha Ashton.
Sipas tij, në qendër të vëmendjes së diskutimeve ka qenë situata politike në vend si dhe përpjekjet e Shqipërisë për hartimin e reformës zgjedhore.
“Gjatë këtij takimi kemi diskutuar për situatën politike në Shqipëri, për zgjedhjet dhe se çfarë duhet bërë në të ardhmen. Kam përsëritur vullnetin e pandryshuar të qeverisë shqiptare për t’u angazhuar në një proces gjithëpërfshirës për reformën zgjedhore, për të adresuar të gjitha rekomandimet e mëparshme të OSBE-ODIHR dhe çështjet e ngritura gjatë zgjedhjeve të fundit. Kam theksuar gatishmërinë e qeverisë për të bashkëpunuar ngushtësisht me OSBE-ODIHR dhe me Komisionin e Venecias, në hartimin dhe miratimin e amendamenteve për reformën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhjet janë tashmë një kapitull i mbyllur dhe ne duhet të nxjerrim mësime dhe të përmirësojmë kuadrin ligjor për të ardhmen”, u shpreh zëvendëskryeministri Haxhinasto.
Kryediplomati shqiptar tha se Brukseli ka rikujtuar plotësimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian. Haxhinasto theksoi se “pas këtij momenti, qeveria shqiptare do të angazhohet plotësisht në një proces politik dhe institucional, për miratimin e reformave”. “Gjatë këtij takimi diskutuam dhe shkëmbyem ide se çfarë duhet bërë në të ardhmen, veçanërisht në lidhje me përmbushjen e 12 prioriteteve. Unë kam shprehur gatishmërinë e qeverisë dhe kësaj maxhorance për t’u angazhuar në një proces politik, institucional dhe parlamentar për të përmirësuar planin kombëtar të veprimit për adresimin e këtyre prioriteteve, si dhe për të miratuar ato pjesë të legjislacionit për reforma, të cilat kërkojnë mazhorancë të cilësuar. Së fundmi, do të dëshiroja të vlerësoja mesazhet që morëm sot, përsa i përket shansit, i cili mbetet konkret dhe i realizueshëm, se kur Shqipëria të japë rezultat të kënaqshëm për procesin politik dhe institucional për plotësimin e prioriteteve përpara të cilave ndodhemi, do të kualifikohet për statusin e vendit kandidatit dhe, me pozitivitetin që unë kam, besoj se kjo gjë do të ndodhë në fund të këtij viti”, tha ministri i Jashtëm, Haxhinasto.
Ai i bëri thirrje opozitës që të ndalë politikën e rrugës dhe të kthehet në Kuvend, për të dhënë kontributin e saj në reforma, pasi çështja e integrimit është përgjegjësi edhe e krahut politik opozitar.
“Mendoj se BE ka qenë vazhdimisht e qartë në sjelljet që i ka dërguar opozitës për t’u angazhuar brenda institucioneve, për t’u angazhuar në proceset politike institucionale, jo vetëm për të adresuar çështjet e zgjedhjeve, por mbi të gjitha për të adresuar 12 prioritetet që janë themelore dhe përcaktuese në avancimin e axhendës europiane të Shqipërisë. Pra përgjegjësia e opozitës është padiskutim shumë e madhe. Kjo është thënë nga BE në të kaluarën. Është thënë dhe sot me qartësinë më të madhe, që çdo veprim i ardhshëm, çdo reformë e ardhshme, dosmosdoshmërisht kërkon dhe angazhimin  e saj institucional”, deklaroi më tej zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›