E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, Topalli: Opozita, lot krokodili për pronarët dhe ish të përndjekurit – Gramoz Ruçi, ministri i fundit i diktaturës, përgjegjës për masakrën e 2 prillit

15-03-2012 / Gazeta 55

Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin për “Pronat”. Halimi: Socialistët i vodhën pronën shqiptarë, PD po ua rikthen pronarëve të vërtetë. “Sekreti Shtetëror”, debate në Kuvend mazhorancë-opozitë


UPDATE- Kuvendi i Shqipërisë është shoqëruar me debate mes kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Ndërsa në sallë po diskutohej “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror”, kryetarja e Kuvendit i ka cilësuar deklaratat e deputetëve të opozitës si lot krokodili. “Të shoh lotët e krokodilit për ish-pronarët nga ajo parti që i vodhi pronat është më shumë se hipokrite. Baballarët tuaj i kanë marrë tokat, pasurinë, i kanë nxjerrë jashtë dhe ju për 8 vjet rresht e bllokuat atë proces. Kërkoni të falur se i keni nxjerrë nga shtëpia. Ndaj ku flisni ju për ish-pronarët më duket si Gramoz Ruçi që flet për ish-të përndjekurit dhe kjo është e rëndë”- u shpreh Topalli. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të grupit të PS-së Ruçi i cili ka theksuar mazhorancës “i djeg” për ato që opozita po bën për ish-të përndjekurit. “Ju, ju ka djegur shumë për atë që po bëjmë ne për ish-të përndjekurit. Në vitin 91 unë kam dhënë 1500 firma mbi bazën e një letre të intelektualëve të Tiranës të cilën kryeministri juaj nuk pranoi ta publikojë në gazetë”- tha ai. Por kryetarja e Kuvendit i është përgjigjur sërish Ruçit duke e pyetur se nëse ishte ai ministri i brendshëm i diktaturës. “A ishit ju ministër i Brendshëm i diktaturës, apo nuk ishit?” tha Topalli. “Më 23 shkurt 1991 kam qenë për dy muaj ministër i brendshëm, por jo ministër i diktaturës por i tranzicionit. Pasi nëse nuk do ta pranojmë që në këtë kohë ishte vendosur pluralizmi, nuk do të pranojmë që pluralizmi është vendosur në dhjetor. Unë jam krenar për tre gjëra në kohën kur kam qenë ministër i Brendshëm. E para se kam dhënë 1500 firma për të liruar të dënuarit politik. E dyta, se kur u ndërrua sistemi nuk u thye një xham nuk u vra një njeri, kurse për të hequr një njeri në 97 e dini vetë sa u vranë dhe e treta për herë të parë janë bërë zgjedhje dhe numëruar vota kokërr më kokërr pa manipulim, duke humbur edhe Ramiz Alia në qendër të Tiranës. Merrni shembull si zhvillohen zgjedhje, ju që vetëm manipuloni”- tha Ruçi. Kryetarja e Kuvendit, deputete e qarkut të Shkodrës, ka përmendur edhe vrasjen e 4 gjimnazistëve nga Shkodra, në kufi. “Është e vërtetë që shqiptarët ju përmbysën me Sali Berishën, në krye e demokracia erdhi në 92, por a ishit ju kur 4 fëmijë të gjimnazit i vratë në kufi dhe i morët trupat e tyre dhe i sollët në rrugët e qytetit tim, këto ishin ato që bëtë ju, nuk e kam vetëm me ty e kam me grupin, ishte koha kur Berisha ju rrëzoi. Jeni krenarë se sollët trupat e fëmijëve të vdekur, krenar si thotë Bushati për babën e tij, se i hoqët pronat, se i futët në burg, kërkoni të falur, këtë bëni”- tha kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ndërkohë që socialisti Gramoz Ruçi nuk iu përgjigj akuzës në fjalë, por kërkoi nga kryetarja e Kuvendit, Topalli të mos spekulojë me fatkeqësinë e të vrarëve.


Eduard Halimi: Socialistët dhe paraardhësit e tyre e vodhën pronën, PD po ua rikthen pronarëve të vërtetë


Seanca plenare e Kuvendit ka nisur punimet me diskutimet për projektligjin “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”. Deputetët e opozitës së Kuvend kanë akuzuar qeverinë se nuk ka bërë asgjë në lidhje me çështjen e pronave. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të drejtësisë, Eduard Halimi i cili i ka cilësuar akuzat e opozitës si false pasi sipas tij qeveria ka bërë shumë për çështjen e pronave. “Vërtetë pronat dhe çështja e tyre ka probleme, por PD ka bërë shumë në këtë drejtim. Brenda vitit 2013 do të ketë regjistër dixhital të pronës, që PS nuk e bëri kurrë, përkundrazi krijoi mbivendosje dhe korrupsion në këtë drejtim. PD e ka marrë në misionin e vet që në 22 mars 1992 procesin e kthimit dhe kompensimit të plotë, të pronave. PD-ja bëri atë që ky krahu këtej i parlamentit i bëri gjithë shqiptarëve duke i vjedhur pronën me tepër se 65 mijë familjeve dhe duke abuzuar me të”- theksoi Halimi. Sipas tij, brenda mandatit të parë PD ka nxjerrë një sërë aktesh dhe ka nisur funksionimin e hipotekës. “Nga 65 mijë kërkesa të depozituara në 20 vjet, komisionet kanë dhënë përgjigje për 60 mijë kërkesa, pra 92% e kërkesave i janë dhënë përgjigje në 20 vjet”- theksoi me tej Halimi.


"Sekreti Shtetëror"


Projektligji “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror” pritet të jetë sot pika më e nxehtë e debatit në seancën parlamentare. Ndërkohë që, pjesë e kalendarit të punimeve të sotme të Kuvendit janë dhe dy projektligje të fushës sociale "Për statusin e të verbrit" dhe “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”. Këto të fundit kundërshtohen nga shoqata e personave me aftësi të kufizuar, të cilët kanë paralajmëruar sot dhe një protestë para selisë së parlamentit. Gjithashtu, pritet që PS me nismë të deputetit, Artan Gaci të kërkojë shfuqizimin e moratoriumit të skafeve. Gjatë ditës së djeshme deputeti socialist u drejtoi një letër deputetëve të PD në qarqet bregdetare dhe atyre në zonat me dalje në liqenin e Shkodrës, Fierzës dhe Pogradecit të votojnë nesër në Kuvend për shfuqizimin e moratoriumit të mjeteve lundruese. Sipas deputetit socialist ky ligj ka bllokuar zhvillimin turistik dhe ka vendosur vendin në një pozicion të turpshëm krahasuar me fqinjët bregdetare që shohin turizmin si burim mirëqenie për qytetarët.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›