Peter Stano: Statusi kandidat, dialog intensiv me Shqipërinë

Komisioni Europian po ndjek një dialog intensiv me Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat, siç e bëri me Malin e Zi. Ky dialog do të konkretizohet me takime më të shpeshta në Tiranë dhe Bruksel, shkëmbime në nivelin teknik, dërgime të misioneve ekspertësh teknikë, seminare politike në Tiranë ose Bruksel. Komisioni përshëndet marrëveshjen në parim mbi Gjykatën Administrative, por suksesi i saj konsiderohet krijimi i vetës kësaj Gjykate. Lidhur me verdiktin mbi çështjen e Gërdecit, Komisioni konsideron se është e rëndësishme pavarësia e shtetit ligjor dhe e procedurave gjyqësore të besueshme. Është zëdhënës i komisionerit, Stefan Fyle, Peter Stano, ai i cili gjatë një interviste për mediat shqiptare në Bruksel, sqaron detajet e këtij procesi
Komisioni Europian ka vendosur që të nxjerrë me Shqipërinë të njëjtin dialog që ka ndjekur me Malin e Zi për marrjen e statusit të kandidatit. Çfarë do të thotë kjo konkretisht?
Komisioni Europian trajton çdo vend në mënyrë specifike dhe për kandidaturën e secilit merren në konsideratë veçoritë e secilit vend. Megjithatë ka eksperienca dhe mësime që janë nxjerrë nga përvojat e kaluara që Komisioni i përdor për të ndihmuar përshpejtimin e reformave të integrimit në vendet aspirante. Qëllimi në këtë rast edhe me Shqipërinë, është të mbahet ritmi i reformave dhe shpejtësia e avancimit të tyre. Këtë duam të bëjmë me palët në vend, të këshillojmë për reformat, të ndajmë eksperiencat më të mira, të japim asistencë teknike, asistencë politike dhe financiare. Atë që bëmë më Malin e Zi dhe që po e rinovojmë aktualisht me Shqipërinë është zhvillimi i një dialogu shumë intensiv për plotësimin e rekomandimeve për marrjen e statusit kandidat. Në rastin e Malit të Zi ishin 7 rekomandime , ndërsa në rastin e Shqipërisë janë 12 rekomandime . Dialogu intensiv që ka filluar me Shqipërinë do të shtrihet më tej me kontake edhe më të forta, që do të konkretizohen me takime më të shpeshta në Tiranë dhe Bruksel, shkëmbime në nivelin teknik, dërgime të misioneve ekspertësh teknikë, seminare politike në Tiranë ose Bruksel. Të gjitha këto forma dialogu intensiv me Shqipërinë janë një mundësi për Komisionin Europian që të bëjë vlerësimin e progresit, të japi mendimin e tij dhe udhëzimet e tij për vazhdimin e mëtejshëm të reformave.
Dy ditë më parë, komisioni i ligjeve arriti një marrëveshje në parim lidhur me Gjykatën administrative që i ka munguar shumë zgjidhjeve të biznesit në vend. A është ky një hap përpara edhe a është ligji i fundit që përmbyll aprovimin e ligjeve me tre të pestat?
Reformat janë një proces i tërë. Për të qenë i suksesshëm në këtë drejtim, nuk nevojitet vetëm aprovimi në parim i një ligji, por ajo që është më e rëndësishmja është zbatimi i këtij ligji. Sigurisht që aprovimi i tij në parim është një hap i rëndësishëm përpara që ndihmon së pari në punën konstruktive në parlament dhe së dyti në përmirësimin e veprimtarisë së biznesit dhe administratës publike në Shqipëri. Por kjo mund të quhet e suksesshme vetëm atëherë kur ligji mbi Gjykatën administrative të zbatohet. Çdo hap që do bëhet deri në tetor, do merret parasysh në progres-raportin e tetorit.
Duke folur për gjykatat, kemi ndërkohë edhe një vendim gjykatë mbi çështjen e Gërdecit, çështje që ka vazhduar që prej 4 vitesh dhe është konsideruar si shumë e ndjeshme. Cili është reagimi për këtë çështje ?
Komisioni Europian mban shënim të verdiktit të Gjykatës për çështjen e Gërdecit. Si në këtë rast, edhe në raste të tjera, ne i kushtojmë një rëndësi të madhe procedurave gjyqësore të besueshme, që hedhin dritë të plotë mbi evenimentet tragjike. Ne presim që Shqipëria të respektojë parësinë e shtetit ligjor bazuar mbi parimet demokratike dhe aspiratat e vendit. Në i kushtojmë vërtet shumë rëndësi pavarësisë së Gjyqësorit , sepse ka të bëjë me parimet bazë të Bashkimit Europian, të drejtat themelore, sistemi i drejtësisë, shteti ligjor. Çdo qytetar ka të drejtat e tij para drejtësisë që duhet të respektohen, siç është ajo e një gjykimi të ndershëm, apo të dijë se çka ndodhur për një ngjarje ku ka patur problem. Kjo është një fushë që është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Komisionit Europian jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin.