“Bamirësi” Eto’o, ora e bizhuteri për Kamerunin
Një milion euro shpenzime për shokët e tij të skuadrës, os emë mirë rreth 35 mijë euro për secilin prej tyre. Kjo ka qenë shifra që ka shpenzuar sulmuesi i Interit dhe i përfaqësueses së Kamerunit, Samuel Eto’o për shokët e tij të skuadrës, pjesëmarrës në Kupën e Botës, “Afrikë e Jugut 2010”. Kjo dhuratë në fakt ka qenë si një kundërpërgjigje e Etosë ndaj ish-sulmuesit të Kamerunit, Roxher Milla, i cili para disa ditësh kishte pohuar se ai (Eto) nuk kishte bërë asgjë deri tani për kombin e tij. Faktikisht Eto ka një linjë dyqanesh orësh, të cilat kanë një vlerë të konsiderueshme nëse natyrisht drejtohesh për t’i blerë te këto dyqane. Me këtë gjest ai indirekt i është përgjigjur Roxher Millas duke qenë se orët dhe bizhuteritë që u ka dhuruar shokëve të tij të skuadrës kanë qenë që të gjitha origjinale.
Lajmi për dhuratat e Etosë ka bërë shumë bujë sidomos tek ata persona, të cilët e njihnin më shumë sulmuesin e Interit. Sipas tyre, Eto është një person që nuk e lëshon paratë, kollaj edhe pse është ndër më të paguarit në botë (merr rreh 10.5 milionë euro në sezon te Interi). Atij i pëlqejnë shumë gjërat e luksit dhe makinat, marka të rralla si “Bentli” dhe “Lamborgini”, të cilat kushtojnë shumë. Ndërsa në Spanjë Etonë e mbajnë mend edhe për debatin e madh mediatik që ai hapi para se të largohej nga Barcelona. Drejtuesit i detyroheshin pak para, të ardhura këto që nuk ishin marrë nga kamerunasi (premio). Por ky i fundit nuk pranoi të largohej nga Barcelona derisa pa në llogarinë e tij bankare që të gjitha paratë deri në qindarkën e fundit. Ndaj edhe gjesti i fundit i tij është parë me shumë skepticizëm nga pjesa më e madhe e atyre personave që e njohin. E megjithatë edhe Roxher Milla nuk ka mbetur pa lëshuar batutën e radhës kur ka pohuar se një milion euro do të ishte më mirë që të ishin shpenzuar në gjëra të tjera shumë më emergjente në Kamerun sesa në ora e bizhuteri për futbollistët e kësaj përfaqësueseje.