E Hënë, 2 Nëntor 2026

Politikanët kundër “topit”: Shpenzime e premio marramendëse



Kursimet në shpenzimet publike dhe papunësia janë në kontrast me atë që kombëtaret e ekipeve europiane janë duke shijuar në Afrikën e Jugut. Prej javësh nga mjaft politikanë në mbarë Europën, veçanërisht në Francë, Spanjë dhe Itali është ngritur shqetësimi për shpenzimet marramendëse të kombëtareve të tyre në hotelet luksoze të Afrikës së Jugut.Kombëtarja franceze është vendosur në një ndër resortet më të mira të këtij vendi dhe që ndodhet në bregun më të bukur të oqeanit Indian. Në sezonin më të ulët të turizmit dhomat në këtë hotel variojnë nga 600 euro deri në 7000 euro për suitat në natë, ndërkohë që në sezonin e turizmit, kohë kur po zhvillohet dhe Kupa e Botës ato përllogariten të jenë mbi dyfish më të larta. Një ndër zyrtarët më të lartë të Ministrisë Franceze të Sporteve, Rama Jade, pas publikimit të shifrave, u shpreh: “Nuk na vjen mirë. Shpresojmë që t’i justifikojnë shpenzimet tepër të mëdha. Personalisht në këtë kohë krize nuk do ta kisha përzgjedhur atë hotel. Janë në kontrast të plotë me ekipe të tjera si Spanja, e cila ndonëse pretendon për titull kampion bote është strehuar në një kampus universitar”. Në Itali opinioni publik por edhe përfaqësuesi i Partisë së Ligës së Veriut, Roberto Kalderoli, shprehu kontestimin e tij për premtimin e 250.000 eurove për çdo lojtar në rast se fitohet Kupa e Botës. “Do të ishte mirë për futbollistët të bënin të njëjtat sakrifica, ashtu si dhe populli italian në këtë sezon krize”, është shprehur Kalderoli. Nga ana e tij portieri i Kombëtares italiane, Bufon, është shprehur për këtë debat se: “Nuk e kuptoj pse politikanët bëjnë deklarime të tilla ku përfshijnë futbollistët për të mbajtur qëndrimet e tyre politike. është diçka që ne nuk e kemi kërkuar dhe si të tillë nuk mund të fajësohemi”. Kundërshtime ka pasur edhe në Spanjë, ku lojtarët do të jenë më të paguarit në rast se fitojnë Kupën e Botës duke përfituar 600.000 euro secili. Ky bonus është më i larti i 32 skuadrave të pranishme në këtë kompeticion, ndërkohë që Spanja momentalisht ka një papunësi prej 20%, deficit të lartë buxhetor dhe rrezikon të ketë të njëjtin fat me Greqinë. Politikani i Partisë Republikane të Katalanias, Eskuera, sulmoi Federatën Spanjolle duke e akuzuar për pagimin e një shifre 2-fish më të lartë se ajo që vendi më i pasur në Evropë, Gjermania, u ofron lojtarëve të saj. “14 milionë euro për 24 individë janë shumë për xhepin tonë dhe do të thotë pagat e mijërave njerëzve të zakonshëm”, është shprehur Eskuera. Po ashtu edhe Anglia nuk përjashtohet nga këto kundërshtime, lojtarët e së cilës janë vendosur në një hotel që ka kushtuar 500.000 milionë euro dhe ku luksi është i jashtëzakonshëm, me “TV Plasma” edhe në dhomat e zhveshjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›