E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stinët e Pashk Përvathit në Galerinë e Arteve



alma mile

Aty janë të gjitha stinët. është gjallëria e pranverës, vera e veshur në blu, buzë detit, vjeshta në një të artë të papërsëritshme dhe e bardha e borës. Peizazhe të mrekullueshme nga veriu në jug, nga Lezha, në Berat, në Himarë, në Korçë... Por nuk mungojnë edhe ata që gjallojnë këto peizazhe, është zadrimorja, mirditorja, cigania. është dhe At Zef Pllumi... Piktori Pashk Përvathi hap sot në Galerinë Kombëtare të Arteve, ekspozitën e tij personale. Janë plot 60 punë, të krijuara gjatë tri viteve të fundit 2007-2010. Sipas kuratorit të ekspozitës, Ylli Drishti, “tema e veçantë e kësaj ekspozite është Korça, kryesisht Vithkuqi dhe Drenova. Piktori Përvathi ka qenë pjesëmarrës prej tri vitesh në veprimtarinë e artistëve të quajtur ‘çmimi Mio’, që organizohet nga Bashkia e qytetit të Korçës dhe që bashkon kryesisht peizazhistët e natyrës. Ky kontakt me natyrën u ka dhënë peizazheve të Përvathit në këtë ekspozitë një freski koloristike, qetësi magjike dhe madhështi që të imponon natyra e kësaj zone. Mozaiku koloristik i këtyre tablove që përbëjnë një cikël mjaft të bukur dhe me vlerë artistike e shtyn artistin të ruajë dekorativitetin si tipar artistik të tijin. Natyra e kësaj zone e ka frymëzuar piktorin Përvathi, duke e fokusuar artistin më afër realizmit me prirje impresioniste, ndofta këto elementë janë të lidhur edhe me faktin që piktori Pashk Përvathi është një admirues i Vangjush Mios dhe natyrës shqiptare në përgjithësi”. “U dashurova me Korçën, pasi kuptova se vjeshta më e bukur në këtë vend është pikërisht në Vithkuqin e saj dhe në Drenovë. E ndoshta kjo ishte arsyeja që edhe ‘Piktori i Popullit’, Vangjush Mio, pikturonte këto peizazhe mahnitëse, se lëndën e parë e kishte atje si në asnjë vend tjetër”, shprehet piktori Pashk Përvathi. Por sigurisht që ekspozitës nuk mund t’i mungojë vendlindja e artistit, Lezha, të cilën ai e sjell në të gjitha stinët, sidomos të mbuluar me dëborë. Po kështu të pranishme janë edhe bjeshkët e Valbonës. Duket se një kohë të mirë piktori e ka kaluar edhe buzë bregut të Himarës, duke na sjellë në këtë ekspozitë kthjelltësinë e detit dhe ashpërsinë e shkëmbinjve të jugut. Interesante paraqiten edhe një seri portretesh, ku përmes një koloriti të ndezur, piktori na ofron portrete ciganesh, por edhe grash veriore me kostumet tradicionale të krahinës së Zadrimës, apo Mirditës. “Në portretet e tij (Cigania, Cigania e ulur, Portretet e nuseve zadrimore dhe mirditore) me tipare të një melankolie botiçeliane janë evidente përpjekjet individuale për të harmonizuar thelbin e tij të lindur dekorativ me linjat e pikturës, përpjekje të mprehta, thelbësore, që bëhen gjithnjë më të rafinuara e elegante për të dhënë më mirë shpirtin e personazhit”, thotë studiuesja italiane Franca Pagani. Mes kësaj larushie spikat mes të tjerëve një portret i At Zef Pëllumbit, në imazhin të cilit është vizatuar mirësia dhe urtësia e burrit që nuk e humbi besimin e tij tek Zoti dhe njeriu, pavarësisht vuajtjeve nën diktaturë. Në galerië prej 60 pikturash janë përfshirë edhe 6 natyra të qeta, të cilat dëshmojnë diapazonin e gjerë të krijimtarisë së piktorit. Me rastin e hapjes së ekspozitës, promovohet edhe albumi, ku janë përfshirë këto vepra, si dhe mendimet e piktorëve të studiuesve të artit, shqiptarë e të huaj, mbi krijimtarinë e Përvathit. Piktori dhe pedagogu Gazmend Leka preferon t’i drejtohet në vetë të parë: “Njerëzit gëzojnë tek shohin peizazhet e tua, sepse shkunden pak nga skleroza dhe ti i bën ata të kujtojnë, se një botë e tillë, plot dritë është brenda tyre, por nuk e shohin. Nuk i fut brenda skenës tënde, por i lë jashtë si spektatorë, që të meditojnë sadopak për të bukurën e paprishur ende. Prandaj peizazhet e tua janë si antidot që hyn drejt e në shpirtin e tyre për të tretur mërzinë, ankthin, trishtimin e brutalitetin”. Teksa sheh peizazhet me temë vjeshte, piktorja amerikane Maya Green thotë: “Të duket sikur gjethet do të bien nga momenti në moment dhe kjo është një përvojë e tillë... mahnitëse… që të lë pa frymë. Dua t’i shoh e rishoh pikturat e tij, sepse ato përcjellin ambientin e atij vendi, atë kohë të vitit, atë kohë të ditës... “.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›