Ban Ki- moon: Kriza do sjellë paqëndrueshmëri politike
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun ka paralajmëruar liderët botërorë se kriza aktuale financiare që ka përfshirë globin mund të çojë në një ankth dhe paqëndrueshmëri politike nëse nuk do të zgjidhet shpejt. Ban Ki Mun tha në një samit të delegatëve të OKB-së në kryeqytetin e Katarit, Doha, se të gjitha vendet duhet të bashkëpunojnë për të zgjidhur krizën globale financiare, si dhe të ndihmojnë në reduktimin e varfërisë. "Në qoftë se nuk manovrohet ashtu siç duhet, kriza e sotme financiare do të kthehet në një krizë të nesërme humanitare. Ankthi social dhe paqëndrueshmëria politike do të rritet duke acaruar të gjitha problemet", është shprehur Ban Ki Mun. Pritshmëritë e Konferencës u zbehën nga mungesa në të e liderëve perëndimore. Presidenti francez Nikolas Sarkozi, i vetmi lider perëndimor i pranishëm në konferencën e Dohas, tha se Europa do të vazhdojë të garantonte të njëjtin kontribut në fondet për vendet e varfëra, pavarësisht krizës ekonomike. Ndërsa Presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinexhat deklaroi se vendi i tij ishtë i gatshëm të kontribuonte për një sistem të ri financiar botëror të bazuar në drejtësi. Ai gjithashtu ka kritikuar Izraelin për bllokadën që ka vendosur në Rripin e Gazës, duke thënë se etniteti "Zionist" do të rrëzohet, ashtu sic u rrëzua sistemi financiar. "Ne e ndiejmë dhimbjen e popullsisë në Gaza dhe Palestinë dhe dëshirojmë të shprehemi se regjimi kriminal Zionist është i trashëguar prej shekujsh", ka thënë Ahmadinexhat. Takimi i Dohas, që zgjat nga 29 nëntori deri më 2 dhjetor, po mbahet për diskutimin e mënyrave për zhvillimin financiar nëpërmjet tregtisë, ndihmave dhe kredive.