Turqi, punëtorët përleshen me policinë
Mijëra punëtorë turq janë përleshur me policinë në qendër të Ankarasë, në një demonstratë të mbajtur nga dy sindikatat më të mëdha të punëtorëve në vend, të cilët protestonin kundër rritjes së cmimeve dhe një marrëveshjeje të re të mundshme me FMN-në. Punëtorët treguan slogane kundër qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, me të cilin Turqia po mban bisedime për një marrëveshje të mundshme huaje, në një ofertë për të zvogëluar impaktin e krizës globale financiare. Rritja e cmimeve të produkteve kryesore të konsumit si dhe gazit po rëndon shumë në xhepat e konsumatorëve turq dhe qeveria e vendit po punon për një paketë që synon uljen e normës së papunësisë që është rritur shumë, duke shkuar në rreth 10 përqind. Përleshjet filluan kur policia i kërkoi grupit të protestuesve të linin banderolat përpara se të hynin në sheshin qendror të qytetit. Policia përdori shkopinj gome dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve që gjuanin me gurë ndaj tyre. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anatolian, gjashtë policë dhe disa protestues u plagosën dhe u trajtuan me ndihmë mjekësore në spital. "Populli po protestonte kundër rritjes së cmimeve dhe varfërisë në rritje. Ne kemi rritje rreth 80-90 përqind në cmimin e energjisë, ushqimeve dhe në cdo aspekt të jetës tonë që nga fillimi i vitit 2008", tha Ali Keskin, njëri nga personat e përfshirë në demonstratë.