E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Moon: Zvogëlim gradual për UNMIK-un

 

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon ka dorëzuar në Prishtinë planin e tij mbi rikonfigurimin e UNMIK-ut. Lajmi është pranuar nga zyrtarët e UNMIK-ut, të cilët pranojnë se letra i është dorëzuar presidentit Fatmir Sejdiu dhe një kopje tjetër do t'i dorëzohet presidentit serb, Boris Tadiç. Ndonëse me rezerva të plota rreth detajeve të letrës, mësohet se plani i dorëzuar mundëson zvogëlimin gradual të UNMIK-ut gjatë një periudhe disamujore, që do të përcaktohet më vonë, si dhe funksionalizim gradual i EULEX-it nën mandatin e OKB-së.

"Mund të konfirmoj se kemi marrë letrën në orën 8 të këtij mëngjesi nga selia qendrore në Nju Jork për presidentin Sejdiu. Pra, është një letër për presidentin Sejdiu dhe një kopje e letrës për presidentin serb, Boris Tadiq, e cila do t'i dorëzohet atij nga zyra e OKB-së në Beograd", pohoi zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.

Për të tjerat gjithçka mbahet në fshehtësi të plotë. "Nuk do të ishte forma e duhur që të flasim për përmbajtjen e letrës, sepse është letër e Sekretarit të Përgjithshëm për presidentin Sejdiu dhe për presidentin Tadiç”- thotë ai.

Pas këtij lajmi, burime jozyrtare thonë se Ban Ki-Moon do të pranojë në masë të madhe konceptin për bashkëpunim në mes të shefit të UNMIK-ut dhe të Qeverisë së Serbisë.

"Letra mbulon çështje për rikonfigurim, por këto janë pikëpamje të Sekretarit të Përgjithshëm dhe më së miri është që të flasë Presidenca dhe Nju Jorku", përfundon Geekie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›