Thellohet deficiti tregtar, ekonomia në pikëpyetje
Deficiti tregtar ka vazhduar të thellohet edhe gjatë 5 muajve të parë të këtij viti me ritme të shpejta, duke vënë në pikëpyetje ecurinë ekonomike. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Doganave, deficiti tregtar për 5 muajt e parë të vitit ka qenë rreth 123 miliardë lekë nga 110 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rritje prej 11.9%.
Importet dhe eksportet kanë pësuar rritje por ritmi i rritjes së importeve është shumë i lartë sidomos pas hapjes së tregjeve.
KarburantetMegjithë rritjen e çmimit të naftës gjatë këtij viti në nivele rekord, sasia e importuar e karburanteve nuk ka ndryshuar. Kjo do të thotë se shqiptarët nuk janë ndikuar nga rritja e çmimit përsa i përket konsumit të karburantit. Kështu gjatë periudhës Janar – Maj 2008 janë zhdoganuar 147 mijë ton karburante, thuajse e njëjta sasi si një vit më parë, periudhë gjatë të cilës janë zhdoganuar 148 mijë ton.
FMN: Deficiti rekord, rrezikohet ekonomia
Deficitet e mëdha që vendi ka me jashtë janë vlerësuar nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar në fillim të këtij viti si një kërcënim prezent që mund të sjellë në të ardhmen ulje të ndjeshme në rritjen ekonomike, inflacion të lartë dhe luhatje të ndjeshme në kursin e këmbimit.
Inflacioni i lartë në vend tashmë është një nga treguesit e krizës financiare që ka dhënë ndikimet e saj të para.
Por Drejtori i Departamentit Europian të FMN-së, Michael Deppler, bën të ditur se analiza e FMN-së sugjeron se shumë deficite të llogarive korrente, sidomos në Balltik dhe në vendet e Europës Juglindore, janë tashmë mbi nivelet e justifikueshme nga supozimet bazë.
"Në këto raste ka rrezik të axhustimeve të papritura: nivelet e larta të borxhit të jashtëm janë të ndjeshme ndaj lëvizjeve në kursin e këmbimit dhe të normave të interesit, luhatjes së rritjes ekonomike, si dhe ndryshimeve në interesin e investitorëve për tregjet në zhvillim", - bën të ditur Deppler.
Shqipëria është në nga vendet që për vitin 2007 shënoi një rekord në nivelin e deficitit të llogarisë korrente, ndërsa rritje të mëtejshme janë ndjerë dhe 5 mujorin e parë të vitit 2008.
Sipas analizave të bëra nga ana e FMN-së në fund të vitit 2007, niveli prej 11 për qind i deficitit korrent ka kaluar të gjitha parashikimet. Për vendet e zhvilluara nivele deri në 5 për qind të deficitit korrent vlerësohen si maksimale, ndërsa për vendet në zhvillim, ku futet edhe Shqipëria ky tregues duhet të ketë një nivel tavan deri në 8 për qind.
Deficiti korrent në vitin 2007 regjistroi një vlerë prej 878 milionë euro, ose 11 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, duke thyer të gjitha parashikimet. Pavarësisht se për vitin 2008 Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar një rritje ekonomike për Shqipërinë në 6% dhe një inflacion që do të jetë në nivelin e 4%, raporti i fundit i këtij institucioni vlerëson se deficiti korrent në nivele tepër të larta mund të cenojë këto parashikime duke sjellë përkeqësim të treguesve.