ILO- 40 mijë fëmijë pa shkollë
Në Shqipëri ka më shumë se 40 mijë fëmijë të cilët nisur nga kushtet e vështira ekonomike kanë braktisur shkollën dhe janë punësuar.
Raporti i bërë nga dy shoqata mësuesish, kërkon nga qeveria marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e këtij problemi.
“Problemi qëndron edhe në firmat e shumta që operojnë në Shqipëri,sidomos ato që merren me industritë e këpucëve dhe të veshmbathjeve.
Shumë prej këtyre firmave kanë të punësuar në personelin e tyre fëmijë” – thuhet në raport. Por jashtë përgjegjësisë, nuk mbeten as pronarët e këtyre firmave, të cilët zhvillojnë aktivitet në Shqipëri për shkak të kostove të ulëta të pridhimit.
Raporti i publikuar, ngre edhe një fenomen, i cili jo pak herë është denoncuar edhe nga mediat, trafikimi i fëmijëve.
Sipas Organizatës Botërore të Punës, ILO, më shumë se 3 mijë fëmijë shqiptarë janë trafikuar në drejtim të Greqisë dhe Italisë, për t’u përdorur kryesisht si lypësa apo në rastin edhe më të keq, si hajdutë. Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, në bazë të raportit të fundit, vlerëson se rreth 25 % e personave të trafikuar i përkasin moshës 14-17 vjeç.