E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki-Moon kritikon qëndrimet e Iranit për Holokaustin

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, i ka kritikuar liderët iranianë për atë që ai i ka përshkruar si komente “mizore” me të cilat hedhet poshtë Holokausti dhe e drejta e Izraelit për të ekzistuar.

Këto komente ai i bëri në Teheran, ku po zhvillohet Samiti i të Pa-inkuadruarve.

Më tutje, ai theksoi se e hedhë poshtë çfarëdo kërcënimi ndaj një anëtari të Kombeve të Bashkuara për ta shkatërruar një tjetër.

Ban Ki-Moon tha se mosnjohja e së drejtës së një anëtari të Kombeve të Bashkuara për të ekzistuar, ose për ta përshkruar atë me fjalë raciste, është “krejtësisht e gabueshme”.

Zyrtari i lartë i OKB-së ka kërkuar nga Irani që t’i respektoj rezolutat e Kombeve të Bashkuara, me të cilat kërkohet ndalja e aktiviteteve bërthamore të pasurimit të uraniumit, duke tërhequr vërejtjen se tendosjet ndërkombëtare lidhur me këtë çështje rrezikojnë të përkeqësohen në luftë.

Në anën tjetër, lideri Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Hamnei, ka deklaruar se vendi i tij kurrë nuk do të tërhiqet nga zhvillimi i energjisë bërthamore, por shtoi Teherani asnjëherë nuk ka synuar prodhimin e armatimit bërthamor.

Hamnei tha se “motoja i Iranit është energjia bërthamore për të gjithë, ndërsa armatimi bërthamor për askënd”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›