E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Mun: EULEX, nën varësinë e UNMIK

Misioni i Bashkimit Evropian "EULEX" që ishte parashikuar të vendosej në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, do të varet nga OKB-ja. Edhe pse nuk janë përcaktuar qartë detajet, kreu i këtij misioni do t‘i raportojë Këshillit të Sigurimit, pasi mbetja në fuqi e Rezolutës 1244 e bën të detyrueshëm këtë aspekt. Ky është vendimi më i fundit që ka marrë sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, i cili bëhet i ditur nëpërmjet një letre, që ai i ka dërguar Prishtinës dhe Beogradit, pra dokumenti i shumëpërfolur i rikonfigurimit të misionit të UNMIK-ut. Letra u është dërguar dy presidentëve respektivë, atij të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe atij të Serbisë, Boris Tadiç. Dokumenti i hap rrugën vendosjes së misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, "EULEX", por që duhet të jetë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. "Është qëllimi im të rikonfiguroj strukturën dhe profilin e prezencës civile ndërkombëtare në një prezencë që aftëson Bashkimin Evropian të marrë në dorë një rol operacional në përputhje me Rezolutën 1244" thuhet ne letër. Sipas informacioneve konfidenciale në letër, shefi i OKB-së kërkon dhe vendosjen e një dialogu ndërmjet UNMIK-ut dhe Beogradit, me pjesëmarrjen edhe të autoriteteve të Prishtinës, "për çështje të interesit të përbashkët", siç i quan ai. Letra thekson se brenda pak muajsh, deri në vjeshtë, misioni i UNMIK-ut do të largohet. Krerët e institucioneve të Kosovës si Presidenti dhe Kryeministri, priten të marrin një qëndrim në lidhje me përmbajtjen e letrës. "Zyra e Presidentit të Kosovës konfirmon se ka marrë letrën që sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, i ka dërguar Presidentit Fatmir Sejdiu. Pas konsultimeve me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Presidenti ka marrë në dijeni njohjen e realiteteve të reja në Kosovë nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, si dhe vendimin e tij për të rikonfiguruar Misionin e OKB-së në Kosovë. Institucionet e Kosovës do të dalin me një përgjigje të peshuar mirë ndaj letrës së sekretarit të Përgjithshëm pas një analize të gjithanshme të përmbajtjes së saj", thuhet në reagimin e Presidencës, e cila nuk e ka shpërndarë letrën për UNMIK-un. Por sido që të jetë, tashmë institucionet e Kosovës janë pajtuar për vazhdimësinë e misionit të UNMIK-ut. Presidenti Fatmir Sejdiu deklaroi në një intervistë për "Associated Press" se ka vendosur si afat të fundit muajin nëntor të këtij viti për misionin e OKB-së, ndërsa kreu i qeverisë thotë se roli i UNMIK-ut mund të jetë vetëm këshillues. "Ne po e bëjmë këtë rikonfigurim në linjë me situatën në terren", mësohet se ka thënë Ruecker. Por ky plan ka zemëruar Rusinë dhe Moska zyrtare i është kundërpërgjigjur me një kërkesë për largimin e shefit aktual të UNMIK-ut, Joakim Ruecker, me argumentin se është marrë me rikonfigurimin e misionit. Ministria e Jashtme e Rusisë ka lëshuar një deklaratë për media ku thuhet se ka kërkuar largimin e shefit të UNMIK-ut, Joakim Ruecker, për shkak se ai ka bërë plane për t‘i dhënë fund misionit të OKB-së në Kosovë. "Rusia vazhdon ta shohë Kosovën si një pjesë të Serbisë, thuhet në deklaratë dhe se ka paralajmëruar se çdo transferim i misionit të OKB-së te Bashkimi Evropian do të shkelë ligjin ndërkombëtar". Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me hapat që ka ndërmarrë Ruecker për të larguar misionin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, ka thënë se ai ka ndërmarrë hapa të paautorizuar që duhen bllokuar në mënyrë të vendosur. Ne propozojmë që për shkak të këtyre hapave, Ruecker duhet të largohet nga posti që mban". Sipas planit të Ahtisarit, BE-ja do të dërgonte në Kosovë 2000 policë dhe gjykatës, në misionin e saj më të madh në historinë e tij.

OKB

"Po ndodh tranzicioni i pavarësisë"

Zëdhënësja e Kombeve të Bashkuara, Michele Montas, tha se përderisa nuk do të ketë një vendim tjetër të Këshillin e Sigurimit OKB vazhdojnë të operojnë në Kosovë nën mandatin e Rezolutës 1244, në fuqi në tërë territorin e Kosovës. Ndërsa ambasadori i SHBA-ve në OKB, Zalmaj Khalilzad, tha se "tani po ndodh tranzicioni si rezultat i shpalljes së pavarësisë së Kosovës". Zëdhënësja e Kombeve të Bashkuara, Michele Montas, theksoi se në dritë të ndryshimit apo evoluimit të rrethanave në terren, tani po këshillohemi me të gjithë faktorët e rëndësishëm, ndërkohë që janë zhvilluar një numër konsultimesh me telefon, se si të zbatohet mandati që u është besuar Kombeve të Bashkuara me Rezolutën 1244. Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmaj Khalilzad, tha se priste që raporti të jepej para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›