Policia e Shkodrës: S‘kemi përgjigje nga Mali i Zi
Megjithëse kanë kaluar dy ditë nga ngjarja e ndodhur në grykëderdhjen e lumit Buna, ku u plagos me armë zjarri nga policia kufitare malazeze një banor i zonës, ende nuk është njoftuar nëse janë shoqëruar për në polici autorët e ngjarjes apo janë ende të lirë. I vetmi reagim i autoriteteve malazeze ka qenë mesazhi që i kanë përcjellë policisë së Shkodrës, që ngjarja do të hetohet me detaje për të vënë para përgjegjësisë autorët. Ndërkohë, drejtues të Policisë së Qarkut Shkodër pohuan për gazetën se nga autoritetet malazeze nuk ka asnjë njoftim që bëjnë të ditur në lidhje me ecurinë e hetimit të ngjarjes. Të njëjtat burime sqarojnë se Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër është në pritje të informacioneve të vonuara nga pala malazeze në lidhje me ngjarjen. Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve fqinje duket se patën një luhatje të lehtë pas veprimit ende të pakuptimtë të disa rojave kufitarë, të cilët pas asnjë motiv qëlluan me breshëri plumbash, duke e lënë të plagosur peshkatarin shqiptar, Hysen Skenderaj.