E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mat, 15-vjeçari përdor kallashnikovin për të shpëtuar të ëmën nga kërcënimi

Një adoleshent 15-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi ka plagosur me armë kërcënuesin e nënës së tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mesnatën e së mërkurës, duke u gdhirë dita e enjte, në fshatin Zenisht të po kësaj komune në rrethin e Matit. Policia njoftoi se 15-vjeçari Islam Ceka ka gjuajtur me armë zjarri kallashnikov në drejtim të shtetasit Ramazan Ndreu, 50 vjeç, duke e plagosur rëndë atë.

Sipas banorëve të zonës, 50-vjeçari Ndreu, banor i fshatit Zenisht, ka shkuar në shtëpinë e nënës së 15-vjeçarit Ceka, rreth mesnatës së të mërkurës, duke hyrë dita e enjte. Aty ai ka filluar të debatojë ashpër me gruan për arsye që nuk dihen ende, duke ushtruar presion mbi të.

Konflikti ka ardhur në rritje, aq sa fëmija 15-vjeçar, Islam Ceka, për të nxjerrë nënën jashtë presionit të ushtruar nga 50-vjeçari Ramazan Ndreu, ka marrë armën automatik kallashnikov dhe ka gjuajtur në drejtim të tij duke e plagosur atë në gjendje të rëndë.

Pasi i plagosuri ka shkuar për ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit të Burrelit, është njoftuar edhe policia e Komisariatit të Rrethit të Matit. Menjëherë forcat e policisë kriminale të këtij komisariati kanë shkuar në vendngjarje ku dhe kanë vënë në pranga 15-vjeçarin, i cili nuk ka bërë asnjë lloj rezistence në momentin e arrestimit.

Burime nga policia konfirmojnë se gjatë marrjes në pyetje në komisariatin e policisë, djali 15-vjeçar ka dëshmuar se ka gjuajtur me armë bashkëfshatarin, pasi nuk mund të duronte dhunimin që i bëhej nënës prej tij.

Mjekët në spitalin e Burrelit, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore të plagosurit Ndreu kanë konstatuar një dëmtim të rëndë të krahut të majtë dhe e kanë përcjellë atë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë për ndihmë mjekësore më të kualifikuar, për ta nxjerrë atë jashtë rrezikut për jetën.

Aktualisht, fëmija 15-vjeçar Islam Ceka ndodhet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Mat, ku akuzohet për veprën penale "vrasje e mbetur në tentativë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›