E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova feston 9-vjetorin e çlirimit nga zgjedha serbe

Dje më 12 qershor, ishte dita kur 9 vjet më parë, forcat e NATO-s, pas 78 ditë bombardimesh të caqeve serbe, kanë hyrë në Kosovë, duke larguar përfundimisht forcat serbe. Me këtë rast, qytetarët kanë përgëzuar Presidentin e Republikës, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke iu drejtuar me mesazhe rasti. "Po mbushen nëntë vjet nga dita kur më 12 qershor 1999 Kosova doli e lirë, pas një periudhe të gjatë sundimi të huaj e okupimi të egër. Lirinë dhe pavarësinë de facto i kishim nga 12 qershori i vitit 1999, dita e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, deri më 17 shkurt 2008. Pavarësinë e kemi edhe de jure nga kjo ditë, kur e shpallëm Kosovën Republikë të pavarur dhe sovrane, në bashkërendim me aleatët tanë historikë, me vendet e Unionit Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lirinë dhe pavarësinë i kemi fituar me përpjekje dekadash, që kanë shkuar nëpër shumë rrugë: me sistem arsimimi e kulture, me luftë politike e me luftë me armë, të cilat në kujtesën tonë historike janë sublimuar te Presidenti historik, Ibrahim Rugova, dhe komandanti Adem Jashari", thuhet në mesazhin e Presidentit Sejdiu. Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve theksoi se "përvjetori i nëntë i Ditës së Çlirimit, 12 qershori, qytetarët tanë i gjen në prag të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rezistenca gjithë-qytetare, e përkrahur nga shtetet e demokracisë së përparuar dhe intervenimi i NATO-s, më 12 qershor 1999 u kurorëzuan me fitore dhe hapje të perspektivës së re për Kosovën. Gjatë këtyre viteve, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, Kosova ka kaluar nëpër procese të rëndësishme politike, duke ndërtuar institucione demokratike.

Më 17 shkurt 2008, institucionet legjitime të Kosovës kurorëzuan vullnetin politik të qytetarëve tanë, duke shpallur Kosovën shtet të pavarur, demokratik dhe sovran. Në 9-vjetorin e çlirimit, Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht nga qendrat më të rëndësishme diplomatike të botës, me një perspektivë të qartë për integrime në institucionet euroatlantike".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›