E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Mun: “Kosovarët kundër qëndrimit të UNMIK-ut në vend”



Në raportin më të ri për Kosovën, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, pohon se shqiptarët e shohin UNMIK-un si pengesë për funksionimin e vendit si shtet sovran, ndërsa Rezolutën 1244 e konsiderojnë të parëndësishme dhe jo detyruese. Ban Ki Mun shkruan në raportin e tij se, “autoritetet e Kosovës, që janë nën presion të madh nga partitë opozitare, gjatë muajve të fundit në vazhdimësi kanë përsëritur se Rezoluta 1244 nuk është më relevante dhe se institucionet e Kosovës nuk kanë obligim ligjor t’i nënshtrohen”. Kreu i organizatës botërore u rikujton ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit se institucionet e Kosovës kanë bërë edhe hapa të tjerë drejt forcimit të shtetit duke mos përfillur kompetencat e shefit të UNMIK-ut që burojnë nga Rezoluta 1244. Raporti që përfshin zhvillimet kryesore në Kosovë që kanë ndodhur në periudhën prej 1 nëntorit 2008 deri më 9 mars të këtij viti ka pësuar ndryshime në natyrën e tij në krahasim me raportet e mëparshme. Dokumenti në fjalë përmban vetëm pjesën politike, e përgatitur nga Zyra e Ban Ki Mun, por jo edhe pjesën teknike që hartohet nga UNMIK-u. Në fund të raportit ka gjetur vend si Aneks raporti i parë rreth EULEX-it të cilin e ka dërguar në Nju Jork përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Havier Solana. Dokumenti katërfaqësh rreth EULEX-it, përmbajtja e të cilit është aprovuar nga Iv de Kermabon, flet për vendosjen e këtij misioni dhe aktivitetet e para të tij.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›