Bisedimet teknike, shefi i EULEX-it viziton Beogradin
Blerina Olldashi
Shefi i misionit europian për drejtësi dhe polici, EULEX, Iv de Kermabon, ka vizituar dje Beogradin në kuadër të bisedimeve teknike. Kreu i misionit zhvilloi takime me ministrat serbë të drejtësisë, policisë dhe të financave. Vizita e de Kermabon në Beograd ishte e para e këtij niveli qëkur është vendosur misioni në Kosovë, në dhjetor të vitit të kaluar. Zëdhënësja e misionit europian për drejtësi dhe polici, Karin Lamdal, është shprehur
se në takimet e zotit de Kermabon me zyrtarët e lartë serbë do të trajtohen temat e bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të ndryshme e, posaçërisht, në ato të rendit dhe të ligjit, duke përfshirë edhe ato të luftimit të krimit të organizuar dhe çështjet e krimeve të luftës. Vizita e z. de Kermabon në Beograd u bë pak ditë para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e paraparë më 23 mars, në të cilën besohet se do të diskutohet për planin 6-pikësh të OKB-së, i cili është kundërshtuar nga autoritetet e Prishtinës. Plani u ofron serbëve të Kosovës, posaçërisht në veriun e saj, një autonomi më të zgjeruar në fushën e policisë, drejtësisë dhe të doganave. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, tha se një raport i misionit për punën e tij në tre muajt e parë i është dërguar OKB-së, përmes BE-së, por sipas saj, ky mision nuk do të raportojë drejtpërdrejt në mbledhjen e radhës të KS të OKB-së. Ajo tha se i takon OKB-së që të vendosë për raportin nëse ai duhet të jetë pjesë e një raporti të përgjithshëm të sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun. Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, raportin e tij për tre muajt e punës do ta paraqesë edhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri, i cili pritet të flasë për përpjekjet e tij për fillimin e një dialogu mes Prishtinës e Beogradit mbi planin 6-pikësh të OKB-së. Në takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së pritet të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i cili ka thënë se do të kërkojë që misioni i UNMIK-ut të përmbyllë punën e tij në Kosovë. Por autoritetet e Beogradit thonë se do të kërkojnë vazhdimin e punës së UNMIK-ut, i vetmi institucion ndërkombëtar që njihet nga serbët e Kosovës.
Vukçeviç: “Mlladiç do të arrestohet këtë vit”
Prokurori i posaçëm serb për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç, bëri të ditur se beson se Ratko Mlladiç do të arrestohet deri në fund të këtij viti. Megjithatë, askush nuk e di vendndodhjen e tij dhe kush e ndihmon për t’u fshehur. Prokurori Vukçeviç është takuar dje në Bruksel me komisionerin europian për Zgjerimin, Oli Rehn, me të cilin bisedoi për tema nga sfera e krimeve të luftës dhe procesimit të tyre. Ai mendon se ish-lideri ushtarak i serbëve të Bosnjës fshihet në Beograd, por nuk dihet ende një vendndodhje e caktuar. Më herët, forcat policore serbe kanë kërkuar në disa zona ku mendohej se fshihej Mlladiç, por pa rezultat. Ky arrestim po bëhet pengesë për afrimin e vendit me Bashkimin Europian. Disa vende anëtare të BE-së janë shprehur se Serbia nuk mund të anëtarësohet pa kryer të gjitha detyrimet që i janë caktuar.
20 Mars 2009