E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Brain Stand” i FDE-së diskutohet me studentë dhe pedagogë të “Marubi”-t



Tiranë - Për disa orë me radhë, FDE ka diskutuar me studentë dhe pedagogë të Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi” strategjinë Brain Stand– “Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar”. Ky ishte debati i parë publik pas prezantimit të kësaj strategjie ditë më parë, në një takim të zgjeruar me intelektualë në Hotel Tirana International. Në panelin e debatit ishin drejtori Ekzekutiv i FDE-së Arian Galdini, nëndrejtori i FDE-së, dr. Nebi Bardhoshi, prof. Afërdita Onuzi, studiuese e Kulturës Popullore dhe rektori i Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, zoti Kujtim Çashku. Në fjalën e hapjes, drejtori Ekzekutiv i FDE-së, Arian Galdini, theksoi: “Nëpërmjet debateve publike, takimeve me zyrtarë, politikanë, vendimmarrës, drejtues të institucioneve arsimore, drejtues të Akademisë së Shkencave, rektorë, dekanë të universiteteve shqiptare, qofshin publike apo private, pedagogë, intelektualë dhe studentë, do të kërkohet vendosja e parametrave të barazisë së kushteve, mundësive dhe shanseve për të gjithë. Kështu pedagogët shqiptarë, universitetet shqiptare publike dhe private, studentët shqiptarë, do të ndihen të respektuar, vlerësuar dhe të lartësuar”. Me këtë iniciativë, FDE ka nisur t’i japë jetë dhe forcë hapjes së një debati të madh publik, i cili do të formatojë dhe përjetësojë politika, vendime dhe strategji të qëndrueshme afatgjata, të cilat i japin vlerë, nder, dinjitet, barazi dhe respekt universiteteve shqiptare, studentëve që studiojnë në to dhe mendimit shqiptar në përgjithësi. Iniciativa kulmon me marshimin në Bulevardin Dëshmorët e Kombit ditën e shtunë, më 28 mars, ora 12:00, ku të gjithë së bashku do të japim mesazhin e madh të shpresës për krijimin e kushteve, marrjen e vendimeve dhe ndërtimin e strategjive, të cilat i japin vlerë mendimit shqiptar në përgjithësi. Më pas e mori fjalën z. Nebi Bardhoshi, i cili tha se, “pak nga shqiptarët që shkojnë të studiojnë jashtë Shqipërisë kthehen për të kontribuar këtu, pasi u mungon besimi. Ndaj duhet të hartohet një strategji sa më efikase për Arsimin”. Prof. Afërdita Onuzi deklaroi: “Dua të kontribuoj për qëndrimin e trurit në Shqipëri, ndaj dhe mendoj se duhet të krijojmë kushtet që të rinjtë të studiojnë këtu”. Rektori i akademisë së filmit dhe multimedias “Marubi”, Kujtim Çashku, tha: “Interesi publik është mbi gjithçka dhe me këtë filozofi janë pajisur studentët dhe pedagogët e ‘Marubit’”. Më pas është debatuar rreth Brain Stand, ku u përfshinë të gjithë, studentë, pedagogë dhe të ftuar të tjerë.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›